Kembimi valutor, Euro ne kuota te stabilizuara
TIRANE- Monedha evropiane, euro, e cila një javë më parë humbi 1,6 pikë kundrejt lekut, gjatë kësaj jave ka qënë e stabilizuar në tregun e këmbimeve valutore me lekun. Sot (19 dhjetor) një euro blihej mesatarisht me 136,3 lekë dhe shitej me 136,8 lekë në tregun e këmbimeve valutore, ndërkohë që në fillim të kësaj jave blihej me 136,2 lekë dhe shitej me 136,7 lekë, ndërsa para një jave blihej mesatarisht me 136 lekë dhe shitej me 136,5 lekë. Euro ka humbur disa pikë kundrejt monedhës shqiptare, lekut, pas forcimit që pati në fillim të muajit tetor, me kuotën më të lartë të vitit në këmbimet valutore, duke u blerë mesatarisht me 138-139 lekë dhe shitur me 139-139,5 lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123 lekë dhe është shitur me 123,5 lekë. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8, ndërsa gjatë vitit të kaluar, euro e kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, kur blihej me 125,3 leke.(atsh/BalkanWeb)