Britania: Zgjidhni krizën, po ju prish imazhin
Mbretëria e Britanisë i bën thirrje klasës politike në Tiranë të zgjidhë krizën politike. Ministri britanik për Europën, David Lidington, tha në një intervistë për BBC-në se kjo situatë dëmton imazhin e vendit në Perëndim. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i “ngërçit” politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike, që janë në interes të popullit shqiptar. Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën europiane të Shqipërisë, por që kjo perspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - tha Lidington. “Ne shpresojmë që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. është shumë e rëndësishme, që dy apo tri forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë”, - vijoi më tej kreu i diplomacisë britanike në kabinetin e Kryeministrit Kameron. I pyetur nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen në Bashkimin Europian të gjitha së bashku, apo meritës së secilës, ministri britanik tha se: “Mendoj se do të ketë një seri programesh individuale, vend pas vendi, sepse paketa e reformave që kërkohet, ka veçoritë e veta në secilin vend. Mund të ndodhë që disa vende të anëtarësohen në Bashkimin Europian njëkohësisht. Por, unë sigurisht nuk mund të them se çdo vend duhet të presë derisa të bëhen gati gjithë të tjerët. Gjithsesi, Britania dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të hedhin hapa për një anëtarësim sa më të shpejtë”. Sipas tij, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë javën e kaluar i dha fund çdo lloj argumenti për statusin e Kosovës. Ai tha se Serbia nuk duhet të vazhdojë më tej me këtë çështje, por duhet të angazhohet në një dialog konstruktiv me Kosovën fqinje për zgjidhjen e çështjeve praktike. “Unë e kuptoj se Serbia është tronditur nga opinioni i gjykatës, aq më tepër që ishte vetë Serbia, ajo e cila e paraqiti kërkesën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, shpresoj që Beogradi ta pranojë se vendimi i gjykatës ishte shumë i qartë, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, - tha Lidington.