E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beçaj: Hapa konkretë për KGJK-në



TIRANE - Shpresa Beçaj, kryetarja e Gjykatës së Lartë, reagoi dje pas deklaratave të një ditë më parë të anëtarëve të KLD-së për pasivitet, mungesë autoriteti dhe vullneti të saj për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Kryegjyqtarja sqaroi se në mungesë të ligjit për KGJK-në, ajo ka ndërmarrë hapa konkretë për thirrjen e mbledhjes së të gjithë gjyqtarëve, duke realizuar disa takime me kryetarë gjykatash dhe përfaqësues të të gjithë gjyqësorit si dhe është kontaktuar vazhdimisht edhe me përfaqësues të ekzekutivit dhe legjislativit, deri në nivele të larta për të përshpejtuar këtë proces. Në lidhje me shkurtimin e buxhetit të gjyqësorit për shkak të neglizhencës së Beçaj, ajo tha se problemet që i janë krijuar gjyqësorit shqiptar, jo pak herë i janë bërë prezent autoriteteve kompetente, që kanë tagrin ligjor për të hartuar dhe miratuar buxhetin e shtetit. Në këtë kuadër, korrespodencë e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme është mbajtur me kryeministrin, kryetaren e Kuvendit e ministrin e Financave, duke i bërë me dije se reduktim i buxhetit të gjykatave dhe numrit të punonjësve të gjyqësorit ka sjellë efekte negative në funksionimin e gjykatave, si dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e proceseve të rregullta gjyqësore. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›