Bylykbashi, një hap larg firmës me Dinamon
Dorian Bylykbashi është vetëm një hap larg transferimit te Dinamo. Burime të sigurta pranë tij dhe drejtuesve të klubit blu, konfirmuan për “Panorama Sport” se kanë nisur bisedimet mes palëve.
Fantazisti i njohur elbasanas, aktualisht është pa skuadër dhe mbetet në pritje të ofertave. Nga sa mësohet, interesimi i kampionëve për të pasur në ekip Bylykbashin, e ka tunduar lojtarin. Projekti i klubit blu është për afrimin e futbollistëve që kanë qenë dhe janë pjesë e Kombëtares. Më konkretisht, dje përfaqësuesit e Dinamos kanë hedhur hapin e parë për të konkretizuar marrëveshjen me mesfushorin. Ky i fundit, pasi është njohur me ofertën, u ka kërkuar kohë drejtuesve të Dinamos. Gjithsesi, mendohet se sot 29-vjeçari do të kthejë një përgjigje përfundimtare. Pritet që ai të bëhet pjesë e bluve, ndërkohë që drejt kësaj skuadre mund ta shoqërojë edhe Ervin Bulku, me të cilin ka qenë shok skuadre te Krivbasi në Ukrainë.
Mesfushori që ka luajtur për klubet më me emër të Kampionatit shqiptar, duke filluar nga Elbasani, Vllaznia dhe më pas Partizani, dëshiron të vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë. Megjithatë, në kushtet kur Bylykbashi nuk ka gjetur ende një skuadër të huaj, mundësia më e mirë për t’u aktivizuar mbetet rikthimi në Kategorinë Superiore. Në fakt, ish-kapitenit të Partizanit dhe Krivbasit, nuk i kanë munguar ofertat. Ai ka qenë pranë nënshkrimit të një kontrate me Arsenalin e Kievit, por në fund gjithçka është prishur. Pas disa viteve aktivizimi në Kampionatin ukrainas, fantazisti duket se do të luajë për klubin kryeqytetas të Dinamos, rivalin historik të Partizanit, aty ku “Dori” mbetet një idhull për tifozët e kuq. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i këtij transferimi, i cili nëse realizohej, do të ishte padyshim më i bujshmi për kampionët në fuqi.
Klauzola lë blutë pa Hidin
Dinamo mund të vihet seriozisht në “hall” për portierë. Nga sa mësohet, në kontratën që Isli Hidi ka nënshkruar me klubin blu, ka një klauzolë e cila lë të lirë futbollistin në rast të ofertave konkrete nga jashtë vendit. Zëra të besueshëm pranë portierit, kanë konfirmuar për “Panorama Sport”, se gjasat janë të mëdha që ai t’i thotë lamtumirë Dinamos pa nisur ende sezoni i ri. Ndërkohë, nga ana tjetër, klubi konfirmon se kjo klauzolë hyn në fuqi vetëm në muajin janar të vitit 2011. Gjithsesi, menaxherë të ndryshëm po punojnë që tani për transferimin e portierit në një klub jashtë Shqipërisë.
Kastrioti, vijnë çaushaj e Alikaj
Enkel Alikaj dhe Ilirjan çaushaj janë zyrtarisht lojtarë të Kastriotit për sezonin 2010-2011. Lajmi është konfirmuar nga burime të sigurta në klubin krutan, teksa dy mesfushorët i janë bashkuar ekipit në stërvitje. Pasi kanë arritur akordin me presidentin Artan Djala, lojtarët janë nisur menjëherë drejt Ohrit, aty ku Kastrioti ka tri ditë që përgatitet. Ndërkohë, i vetmi i huaj që aktualisht ndodhet me skuadrën në Ohër është mbrojtësi i djathtë kroat, Matko Djarmati, i cili ka rinovuar kontratën edhe për një vit. Sot pritet që të mbërrijë edhe sulmuesi kroat, Ivan Babiç, që gjithashtu ka arritur akordin me drejtuesit.