PD sulmon Topin për Gjykatën Kushtetuese: Shkeli Kushtetutën, akt i paprecedent në histori
Kristo: Takova Topin, nuk pranova të rizgjidhem
Kryetari në detyrë i Gjykatës Kushtetu-ese tregon takimin e tij me Presidentin e Republikës.
I pyetur nga “Panorama”, Vladimir Kristo konfirmon lajmin e gazetës për takimin me Presidentin, por nuk dha detaje për arsyet pse nuk pranoi riemërimin e tij në krye të këtij institucioni. “është e vërtetë që Presidenti më kërkoi të jem sërish dhe për një mandat në krye të Gjykatës Kushtetuese, por unë nuk e pranova rizgjedhjen time”, u shpreh për gazetën “Panorama”, Kristo. Sipas tij, menjëherë pas mbarimit të mandatit të tij, në datën 8 qershor, Presidenti i Republikës e kishte thirrur në një takim në Presidencë, ku i kishte kërkuar riemërimin në krye të institucionit edhe për një mandat tjetër, sipas ligjit për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. I pyetur nëse ligji ia lejon të qëndrojë në krye të gjykatës, Kristo tha se këtë e kërkon funksionimi i institucionit. “Ne jemi një vend demokratik dhe si i tillë, dhe drejtuesit e institucioneve të tij qëndrojnë në krye të detyrës deri në zëvendësimin e tyre nga pasardhësi, duke bërë të mundur në këtë mënyrë dhe funksionimin normal të institucionit”, u shpreh kryetari në detyrë i Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga 9 anëtarët e saj, bazuar në nenin 125 të Kushtetutës dhe nenit 7 të ligjit për “Organizimin e Gjykatës Kushtetuese”: “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh dhe me të drejtë riemërimi”. Debati për emërimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese ka lindur nisur dhe me precedentin e ish kryetarit të kësaj gjykate, Gjergj Sauli. Menjëherë pas mbarimit të mandatit si kryetar, Sauli u largua nga ky post, për të vazhduar mandatin e gjyqtarit të saj. Por vakumi që krijoi mungesa e kryetarit, solli mosfunksionim normal të gjykatës, pasi institucioni nuk mundi të funksiononte normalisht deri në emërimin dhe zgjedhjen e Vladimir Kristos në krye të Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të kryetarit, gjykata as mund të merrte vendime procedurale, por as nuk mund të funksiononte dhe nga ana administrative, pasi mungonte firma e kryetarit. Pas mbarimit të mandatit tre vjeçar të Kristos, megjithë konsultimet e zhvilluara, nuk u bë e mundur zgjedhja e kryetarit të ri të kësaj gjykate brenda tre anëtarëve të tjerë, të cilët kishin mandat të plotë, pasi edhe ata ashtu si dhe kryetari aktual nuk e pranuan propozimin e Presidentit Topi, për të drejtuar këtë institucion. Në këto kushte, do të duhet zëvendësimi dhe i katër anëtarëve të tjerë, të cilëve u ka mbaruar mandati i gjyqtarit që të kemi pasardhësin e Kristos. Janë edhe katër anëtarë të cilëve u ka mbaruar mandati, por që ende nuk janë zëvendësuar nga Presidenti i Republikës dhe Parlamenti. Janë gjashtë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati, dy prej të cilëve janë zëvendësuar ndërsa mbeten dhe katër të tjerë që të largohen nga kjo gjykatë. Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi dhe Admir Thanza janë gjashtë anëtarët, të cilëve u ka mbaruar mandati, ndërsa vetëm dy prej tyre janë zëvendësuar. Në vend të Putos dhe Abdiut, Kuvendi ka miratuar Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedjen, ndërkohë që rrëzoi kandidaturën e tretë të sugjeruar nga kreu i shtetit, Vangjel Kostën.
Gjykata e Lartë dhe KLD-ja do mbledhin gjyqtarët në Konferencë
TIRANE - Takimi i parë i gjyqtarëve shqiptarë do të jetë vetëm në fillim të muajit tetor. Ky ishte konkluzioni i mbledhjes së djeshme mes kryetarëve të Gjykatave të Faktit dhe Apelit, organizuar nga kryegjyqtarja Shpresa Beçaj, me praninë edhe të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Burime nga takimi i djeshëm pohuan se krerët e togave të zeza vendosën që të organizonin një grup pune, të përbërë nga 12 gjyqtarë të të dy niveleve, të cilët do të përpilonin një projektligj për Konferencën Gjyqësore, një projektstatut për të, si dhe një rregullore. Puna e tyre do të diskutohet në takimin me të gjithë gjyqtarët, që do të organizohet në fillim të muajit tetor. Në këtë mbledhje, e cila do të drejtohet nga kryegjyqtarja Shpresa Beçaj, do të vendoset prej të gjithë gjyqtarëve, nëse KGJK-ja do të mblidhet në mungesë të ligjit dhe nëse “po”, atëherë do të procedohet me miratimin e statutit. Gjatë muajve nëntor apo dhjetor, pritet që organizohet Konferenca Gjyqësore, e cila do të zgjedhë 5 anëtarët e KLD-së. Burime nga takimi i djeshëm pohuan se të gjithë kryetarët e gjykatave u shprehën njëzëri “pro” mbledhjes së gjyqtarëve, ndërsa u mbështetën në këtë qëndrim edhe nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ndërkohë, mësohet se gjatë fjalës së vet, Spahiu është shprehur se është fakt që të gjithë pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët ndanin shqetësim të përbashkët për mosfunksionimin e KLD-së, pasi ka pengesa dhe se të gjithë kanë qenë me shpresë se do bëhej ligji për KGJK-në. Më tej, Spahiu ka theksuar se tani ftesa e kryetares Beçaj për mbledhjen e togave të zeza, është e arsyeshme dhe duhet të diskutohet për të gjetur një zgjidhje, si dhe të përcaktohet qartë në rregullore mënyra e votimit, që më vonë mos të ketë kontestime mes gjyqtarëve. fa.ma.