E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, PD sulmon Topin



Partia Demokratike përplaset publikisht me Presidentin, Bamir Topi, për dekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë pas intervistës në gazetën “Panorama”, të këshilltarit ligjor të kreut të shtetit, sipas të cilit Topi nuk ka shkelur në asnjë moment ligjin themeltar të shtetit maxhoranca deklaron të kundërtën.
Qëndrimi i PD
Sekretari i grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi akuzoi dje në një konferencë për shtyp Presidentin se ka shkelur Kushtetutën, duke lënë pa kryetar Gjykatën Kushtetuese. “Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën e Republikës, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor 2010. Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.
Në frymën e tij, ligji dhe Kushtetuta duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetarët dhe nga Presidenti i vendit”, tha Halimi. Duke iu referuar nenit 125 të Kushtetutës, deputeti demokrat tha se kreu i kësaj gjykate emërohet për një periudhë 3- vjeçare, teksa kujtoi rastin e Gjergj Saulit, i cili në përfundim të mandatit dha dorëheqjen nga posti i kryetarit. “Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre”, vijoi më tej Halimi. Në këto kushte, deputeti i PD-së kërkoi dekretimin sa më shpejt të kryetarit të ri të Kushtetueses, duke garantuar se Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për ta votuar atë. “Në emër të Komisionit të Ligjeve dhe në emër të Kushtetutës, i kërkoj Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të institucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht kërkoj thirrjen urgjente të Parlamentit për të bërë emërimin e tij”, përfundoi deklaratën e tij sekretari i grupit demokrat.
Reagimi i Presidentit
I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit të Republikës, i cili nëpërmjet këshilltarit të tij ligjor, Spiro Peçi saktësoi qëndrimin e kreut të shtetit për këto akuza. Sipas Peçit “çdo koment i bërë, se Presidenti i Republikës është në shkelje të Kushtetutës, nuk i përgjigjet realitetit ligjor dhe situatës së krijuar. çdo deklaratë e bërë në këtë drejtim është e frymëzuar politikisht, me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet mjaft të rëndësishme që ka sot politika shqiptare”. Në të njëjtën kohë, një fakt tjetër që i jep të drejtë kreut të shtetit, sipas këshilltarit ligjor, është përcaktimi në nenin 125 të Kushtetutës, sipas të cilit kryetari i Kushtetueses zgjidhet nga një prej nëntë anëtarëve të saj. Kjo sipas Presidencës nuk mund të bëhet për momentin, për shkak se katër anëtarëve u përfunduar mandati. “Pengesë ka qenë, përveç shkaqeve që thashë më lart, edhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin e të paktën atyre kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, tha Peçi. Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë pretendimin e PD-së, për të mbledhur Kuvendin gjatë gushtit, për votimin e emrit të kreut të Gjykatës Kushtetuese. “Ky proces do të mbetet për ditët e para të shtatorit për dy arsye. Së pari, sepse atëherë fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë dhe së dyti, krijohet mundësia në kushtet, të cilat jua shpjegova pak më lart, të përzgjedhjes së një kryetari brenda kritereve që duhet të përmbushë një funksion i tillë mjaft i rëndësishëm”, tha këshilltari i Presidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›