E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iu dha lamtumira e fundit deputetes Kelmendi

Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 20:17

(E plotësuar) Në varrezat e qytetit të Prishtinës, të hënën pasdite iu dha lamtumira e fundit, veprimtares dhe politikanes Nekibe Kelmendi, me ç’rast u tha se Nekibe Kelmendi ishte një grua e madhe, e cila kontribuoi shumë në shtet formimin e Kosovës.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se jemi krenarë që patëm në mesin tonë, Nekibe Kelmendin, e cila la një vepër udhërrëfyese për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të dinjitetshme dhe prosperuese në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Kosova humbi një veprimtare të palodhshme, të sinqertë dhe të drejtë, e cila me profesionalizmin dhe me përkushtimin e saj, kapërcente çdo vështirësi. Institucionet e Kosovës në jetën dhe veprën e zonjës Kelmendi, marrin frymëzimin dhe besimin për të ndërtuar Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, anëtare e ardhshme e BE-së që ruan miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga.

Me një fjalim rasti të pranishmëve iu drejtua kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vlerësoi lartë kontributin e Kelmendit në jetën politike. Ai tha se me pikëllim të madh ka marrë lajmin për vdekjen e ish-ministres së Drejtësisë dhe deputetes veterane të Kuvendit të Kosovës.

“Sot vendi ynë po ndahet nga një nga aktiviste dhe intelektuale më aktive të Kosovës që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë pavarësisë dhe demokracisë, duke qenë e angazhuar në jetën politike dhe institucionale të Kosovës deri në momentet e fundit të jetës. Kontributi i saj në politik dhe drejtësinë e Kosovës është shënuar duke ndarë fatin e saj me atë të vendit dhe popullit tonë”, tha Thaçi.

Më tej Thaçi theksoi se zonja Kelmendi shquhet si një politikane që promovoi profesionalizmin edhe në jetë, edhe në politik. Sipas tij, Kelmendi punonte shumë që edhe problemet politike të zgjidhen përmes drejtësisë.

Ndërkaq njëri nga themeluesit e LDK-së dhe deputeti i kësaj partie, Sabri Hamiti tha se i gjithë fundamenti i veprimit politik dhe institucional të zonjës Kelmendi, lidhet me programin fundamental të LDK-së, ku ajo ka punuar që nga themelimi, e deri dje kur dha frymën e fundit.

“Ajo ishte një grua e madhe e Kosovës, nuk po them burrneshë, sepse tradicionalisht tek ne ju thuhet grave të zonja burrneshë. Ajo ishte grua dhe kjo mjafton, sepse me qëndrueshmërinë e vet, me talentin në fushën profesionale, me parimin në lëvizjet intelektuale dhe politike, ajo është ishte një grua tipike shqiptare”, ka thënë Hamiti.

M’i bëj të fala Kosovës, Porosia e Kelmendit

Veprimtarja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, kanë vlerësuar të hënën në një akademi komemorative të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rastin e vdekjes së deputetes Kelmendi.

Për të nderuar veprimtarinë e Kelmendit në këtë ceremoni të pranishëm ishin si përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë të shumtë. Në këtë rast kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi se Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut

“Vizioni i saj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë Jahjaga, siç transmeton Kosovapress.

Ndërkaq kryetari i LDK-së Isa Mustafa, duke vlerësuar lartë veprimtarinë e deputetes së ndjerë, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj, e cila që nga themelimi pa marrë parasysh pozitën që kishte punoi me përkushtimin më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm”, ka thënë Mustafa.

Në këtë akademi ishte e pranishme edhe Kosovare Kelmendi, vajza e deputetes së ndjerë, e cila edhe bëri publik amanetin e fundit të nënës së saj.

“Derisa pati forcë dhe ishte e vetëdijshme më ka lënë një porosi të cilën tani do të shfrytëzoj rastin t’ua përcjell dhe më ka thënë. Bija ime gjeje mënyrën si të duash, i bënë të fala gjithë Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

Nekibe Kelmendi u lind me 12 maj 1944 në Pejë. Ajo ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në të gjitha legjislaturat deri ne çastin kur ndërroi jetë. Punoi shumë si anëtare e Grupit të ekspertëve në Grupin Politik Strategjik të Grupit të Unitetit për negociata për Kosovën, ndërkaq ishte nënkryetare e Komisionit Kushtetues te Kosovës. Kelmendi ishte veprimtare e shquar e organizatave të grave, prandaj, si e tillë, ajo ishte edhe bashkëthemeluese e Lobit të Grave për Evropën Juglindore.

Nga 1 janari 2000 deri në nëntor 2001 ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Ishte Ministre e Drejtësisë 1 janar 2008 deri më 31 mars 2010. Pas asaj kohe, vazhdoi profesionin e avokatisë. Nekibe Kelmendi ishte autore e shumë shkrimeve profesionale nga fusha e të drejtave të njeriut mbi gjendjen në Kosovë dhe fusha juridike. Ajo gjatë luftës nga okupatori serb i është vrarë bashkëshorti së bashku me dy djemtë se saj. Ndërkaq telegrame ngushëllimi familjes Kelmendi i kanë shkuar nga të gjitha institucionet e vendit, partitë politike e më gjerë.

Ligjvënësit kujtojnë Nekibe Kelmendin si një politikane me vullnet të hekurt

Me një minutë heshtje ka nisur seanca komemorative për deputeten e ndjerë të Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila të dielën ka ndërruar jetë në moshën 67 vjeçare pas një sëmundje të gjatë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën e tij ka thënë se Nekibe Kelmendi kudo që angazhohej, shquhej për profesionalizëm, qëndrim parimor dhe vullnet të hekurt.

Kreu i legjislativit ka thënë se Kuvendit të Kosovës do t’i mungojë tash e tutje fjala e urtë e deputetes veterane, Nekibe Kelmendi.

Ai tha se deputetja Kelmendi do të kujtohet për kontributin e dhënë në shumë fusha jetosore, si në politikë, drejtësi dhe kontributin e veçantë për të drejtat e njeriut, duke shtuar se përkundër tragjedisë familjare pas luftës ajo vazhdoi kontributin e saj.

“Nekibe Kelmendi jetën e saj e mbylli denjësisht si përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Kudo që angazhohej ajo shquhej për profesionalizmin, qëndrimin parimore dhe vullnetin e hekurt. Kuvendi i Kosoëvs i është mirënjohës asaj për gjithë kontributin që i ka lënë trashëgim”, ka thënë Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë mes tjerash se Nekibe Kelmendi bashkë me bashkëshortin e saj Bajramin, në kohë të vështira për Kosovën, mbrojtën të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve të Kosovës dhe e bënë të njohur në botë gjendjen e rëndë në vend.

“Paralelisht me punën që bënte për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nekibe Kelmendi nëpërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës si bashkëthemeluese e saj u bë pjesë e lëvizjes paqësore gjithë qytetare kundër pushtimit të Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës ajo qysh në administratën e përbashkët me misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-un, u vu në shërbim të vendosjes së themeleve të sistemit të drejtësisë sonë moderne dhe të pavarur”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka rikujtuar me këtë rast përkushtimin dhe profesionalizmin e Kelmentit si eksperte në Grupin e Unitetit gjatë bisedimeve të Vjenës dhe kontributin si bashkëdrejtuese e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Sabri Hamiti në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se Nekibe Kelmendi, bashkëthemeluese e LDK-së dhe deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, i ka përmasat e një personaliteti politik rugovian.

Ai e ka krahasuar Nekibe Kelmendin me ish presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ajo ishte bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e pandashme e Rugovës.

“Në këtë udhë të vështirë prej dy deceniesh ajo mbeti si bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e palëkundur e Ibrahim Rugovës. Puna për Kosovën, shkuarja e saj dhe mirasi i politikës së saj, e bëjnë kaq të ngjashme me presidentin tonë historik. Nekibe Kelmendi punoi për pajtimet shqiptare si kusht themelor për veprim unik politik. Nekibe Kelmendi, filozofinë e të drejtave të njeriut si filozofi universale punoi për ta bërë vepër në botën shqiptare të Kosovë. Nekibe Kelmendi punoi për të ndërtuar institucione demokratike, si domosdoshmëri e mbrojtjes institucionale të Kosovës dhe barazisë së njerëzve të saj. Ajo u bë avokate mbrojtëse e të drejtave njerëzore, e të drejtave nacionale të shqiptarëve”, ka thënë Hamiti.

Pas seancës komemorative, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë bënë homazhe pranë arkivolit të deputetes së ndjerë Nekibe Kelmendi, i cili ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe u shprehen ngushëllime familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Mbledhje komemorative për deputeten Kelmendi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendos që sot në orën 13.30 të mbahet mbledhje komemorative për deputeten Nekibe Kelmendi, e cila pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë të dielën.

Rreth orës 14:00 në hollin e Kuvendit të Kosovës do të vendoset trupi i pajetë i deputetes Kelmendi, ku do të bëhen homazhe pranë trupit të saj.

Homazhet do të zgjasin deri në orën 15:30.

Ndërsa interpelanca e para parë të mbahet sot, shtyhet për javën e ardhshme.

Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sa i përket interpelancës, kryeparlamentari Krasniqi tha se ajo shtyhet për javën e ardhshme, ku në mbledhje e ardhshme të kryesisë do të caktohet dita e mbajtjes së interpelancës.

Thaçi: Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe LDK-së, me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, e cila një kohë ishte edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Në telegramin e tij kryeministri Thaçi shkruan se me pikëllim të madh e ka marrë lajmin që aktivistja shumëvjeçare e Kosovës, ish- ministrja e Drejtësisë në mandatin e kaluar qeveritar dhe aktualisht deputetja e Kuvendit, Nekibe Kelmendi ka ndërruar jetë.

Ai ka vlerësuar se Kelmendi ishte ndër aktivistet dhe intelektualet më aktive të Kosovës, që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qenë e angazhuar në institucionet e Kosovës deri në momentet e fundit të jetës.

“Zonja Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të gjenocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Edhe në këtë gjendje, znj.Kelmendi gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka thënë Thaçi.

Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se në kujtesën e tij Nekibe Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë.

“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam pasur fatin që të punoj bashkë me ministren Kelmendi, në mandatin e kaluar qeveritar. Në kujtesën time, znj.Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë, e angazhuar në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, për të cilin ajo dhe familja e saj sakrifikuan shumë’, thuhet ndër të tjera në ngushëllimet e kryeministrit.

Ndryshe pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare ka ndërruar jetë të dielën në mbrëmje deputetja në Kuvendin e Kosovës, Nekibe Kelmendi.

Vdiq deputetja Nekibe Kelmendi

Pas një sëmundje të rëndë në disa muaj të fundit, të dielën ka vdekur deputetja në Kuvendin e Kosovës, Nekibe Kelmendi. Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi për KTV-në sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Në qeverinë e kaluar të Kosovës, Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë, si dhe ka kryer funksione të larta partiake në LDK.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat okupuese serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›