E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria është plotësisht e pavarur

Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 20:00

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi ka dhënë garancione të forta se i gjithë sistemi prokurorial në Kosovë është plotësisht i pavarur qoftë nga politika apo çfarëdolloj faktori tjetër. Ai tha se kjo pavarësi ka ardhur si rrjedhojë e miratimit të infrastrukturës ligjore dhe rritjes së pagave për punonjësit e tri niveleve të Prokurorisë.

Këto vlerësime të Kabashit janë dhënë të hënën në Pejë gjatë një debati që ka organizuar Lëvizja FOL, me ç’rast është folur për prokurorinë në nivel komunal dhe atë qendror.

Duke mbrojtur vlerësimin e tij se sistemi prokurorial është i pavarur, Kabashi theksoi dy faktorë që kanë ndikuar në pavarësinë e tyre dhe ata janë infrastruktura ligjore dhe baza materiale e prokurorëve. Ai tregoi se si kryeprokuror pagën mujore e ka aq sa edhe kryeministri i vendit, kurse nivelet e tjera pas tij janë vetëm 10 për qind më të ulët.

Mirëpo duke folur për kohën se kur ka filluar kjo pavarësi, Kabashi nuk ka mundur të shkojë më larg se një vit, kur dihet se edhe për prokurorë ka pasur në ndjekje penale.

“Ka një vit që kur Prokuroria e Kosovës është bërë prokurori e pavarur dhe ju garantoj se për asnjë prokuror gjatë këtij viti nuk kemi prova për ndonjë ndjekje penale ose për ndonjë vepër abuzive profesionale”, theksoi ai.

Në këtë rast, Kabashi tha se tani prioritet i prokurorive është lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, pasi që këto fenomene kanë ndikuar që të shikohet me sy të keq Kosova.

I pari i Prokurorisë së vendit tha se po ndihet i inkurajuar, pasi po rritet numri i kallëzimeve penale nga qytetarët, gjë që tregon se është rritur edhe bashkëpunimi me qytetarë.

“Ju garantoj se prokuroritë e Kosovës do të mbrojnë të drejtat tuaja”, u ka premtuar qytetarëve ai, tek po u drejtohej përfaqësuesve të shoqërive civile.

Edhe të parët e Prokurorisë së Qarkut dhe të Prokurorisë Komunale në Pejë, Agrim Galani dhe Lirije Morina janë zotuar se tashmë janë më afër qytetarëve dhe ndryshe nga koha e UNMIK-ut, sikurse prokuroritë ashtu edhe gjyqësori u përkasin qytetarëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›