Britania e Madhe: Duam të shohim stabilitet politik dhe demokraci funksionale në vend
Britania e Madhe kërkon zgjidhjen e krizës politike në vend dhe përshpejtimin e reformave në mënyrë që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Vëmendja e Britanisë pas marrjes së drejtimit të qeverisë atje nga aleanca konservatore e liberaldemokrate, duket se është rritur ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Roli i ri i Britanisë në rajon, u konfirmua dje edhe nga deklaratat e ministrit britanik për Europën, David Lidington, për situatën politike në Shqipëri dhe nevojën që ajo të zgjidhet sa më parë. “është e rëndësishme që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet. Përpjekje po bëhen nga BE-ja dhe SHBA-ja, që të sjellin pajtimin që është i nevojshëm. Në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e tjera në rajon, duam të shohim stabilitet politik, demokraci funksionale, zbatimin e ligjit, gjyqësor të pavarur, media të lira”, deklaroi Lidington në një intervistë të dhënë për BBC-në gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup. Sipas tij, sa më shpejt që Shqipëria të jetë në rrugë drejt anëtarësimit në BE, aq më të kënaqur do të jenë përfaqësuesit e Britanisë të përfshirë në këtë proces. Ministri për Europën i Britanisë theksoi gjithashtu se politika e jashtme e këtij vendi tashmë po investon për të nxitur në mënyrë urgjente qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin reformat e duhura për integrim sa më të shpejtë në BE. “Ne po fokusohemi te Ballkani dhe për t’i nxitur me urgjencë vendet të ndërmarrin reformat në strukturat e gjyqësorit, e administratës dhe të përpiqen realisht që ta kthejnë në binarë procesin e stabilitetit politik që do të çojë drejt afrimit në BE”, pohoi ministri britanik, duke shprehur në mënyrë të qartë ambiciet e kabinetit qeveritar në vendin e tij. Sipas tij, ky ndryshim kursi lidhet me faktin se qeveria britanike ka ndjesinë se Europa Perëndimore i ka larguar sytë nga Ballkani në vitet e fundit dhe ka parë pjesë të tjera të botës. Në të njëjtën linjë diplomatike u shfaq në Tiranë edhe zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Elizabeth Evans. Në një tryezë ku u fol për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Evans foli edhe për efektet negative që kriza politike po i shkaktonte vendit tonë. “Shqipëria ka një rol special në përçimin e një influence pozitive në rajon, por ngecjet e vazhdueshme politike po dëmtojnë percepsionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe po kështu progresin e bërë në fusha të tjera”, vërejti përfaqësuesja e Britanisë në vendin tonë. Sipas Evans, ndonëse arritjes së anëtarësimit në NATO, Shqipëria nuk duhet të harrojë të vijojë reformat e saj në çdo fushë, pasi reformat janë të domosdoshme edhe për anëtarësimin në BE. “Anëtarësimi në NATO është një arritje e rëndësishme që tregon maturimin e demokracisë shqiptare. Gjithsesi, Shqipëria nuk duhet të ngurrojë në sfidën për ta bërë ushtrinë shqiptare të jetë e denjë për shekullin e 21, dhe gjithashtu duhet të konsolidojë reformat demokratike, të cilat janë të mira për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe janë gjithashtu kërkesa të BE-së”, deklaroi ajo. Zëvendësambasadorja e Britanisë theksoi se rruga e Shqipërisë për në BE, kalonte vetëm nëpërmjet reformave.
#