E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kriza aktuale, maja e ajsbergut

Fjala në IS

Zhvillimi i rajonit ballkanik, që vuan nga specifika nacionale të trashëguara, i takon së majtës. Në fjalën e mbajtur në Këshillin e Internacionales Socialiste, kreu i PS, Edi Rama, ka nënvizuar misionin e së majtës në integrimin e rajonit tonë në Bashkimin Europian. “Dua sot të ndaj me ju bindjen se e majta progresive është forca e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të integrimit si sfidë e demokratizimit dhe modernizimit të shtetit e shoqërisë në hapësirën e këtij rajoni”, tha ai. Kontekstualizimi shqiptar i këtij misioni që shfaqet si besim i kryesocialistit në vlerat e partisë që ai përfaqëson, sjell në vëmendje zgjidhjen e krizës politike, që sipas tij ka lindur pikërisht nga cenimi i vlerave demokratike. “Sot Shqipëria përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara, por, më anë tjetër, është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë, ka politizuar e paralizuar drejtësinë, ka hyrë në ekonominë e të dhënave e të shifrave të gënjeshtërta”, u shpreh ai. Nuk ka munguar me këtë rast analogjia domethënëse me krizën greke, për të cilën Rama ka shprehur përgëzime rreth angazhimit të qeverisë së drejtuar nga Jorgos Papandreu, njëkohësisht president i IS-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›