Gjoba ndaj Fiks Fare, lajm tronditës për marrëdhëniet drejtësi-media në Shqipëri
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh reagimin e vet alarmant ndaj vendimit të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari i Gjykatës së Faktit Tiranë, zotit Agim Bendo, sipas të cilit “Top Channel” duhet t’i paguajë ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, 400 mijë euro dëmshpërblim për transmetimin e një videoje që tregon se ish-ministri i kërkon një vajze (në rastin në fjalë, reportere) që aplikoi për punë të hiqte rrobat. Vendimi i këtij trupi gjykues dhe kryesuesit të saj, shënon një akt të pastër ndëshkimi të palogjikshëm ndaj një medie kurajoze dhe stafit të gazetarëve të redaksisë së “Fiks Fare”. Kjo masë ndëshkimi e cila përbën një rekord, për sa i përket shumës financiare të penalitetit, shënon një precedent të rrezikshëm dhe lexohet prej anëtarësisë së gazetarëve profesionistë të UGSH, si një akt i hapur kërcënues mbi kurajën, lirinë dhe misionin e gazetarit për të qenë shërbestar i interesit publik. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë vlerësim dhe vendimin shoqërues të këtij trupi gjykues të papranueshëm dhe si një akt i dokumentuar i dhunës së strukturuar mbi lirinë e mediave, mbi lirinë e gazetarit dhe sidomos mbi redaksinë e vetme që tenton me kurajë të pashoqe implementimin e gazetarisë investigative në gazetarinë e sotme shqiptare. UGSH vlerëson se një vendim i tillë duhet refuzuar ndërgjegjshëm prej juristëve dhe profesionistëve të gjykimit juridik shqiptar, ai tenton hapur të konfrontojë dy pushtete funksionale në shoqërinë e sotme demokratike. Ky vendim përbën një kazus negativ në praktikën e deritanishme gjyqësore mes gjykatës dhe gazetarisë shqiptare.
#