800 euro për të kaluar kufirin, pranga trafikantit
Arrestohet në flagrancë Behar Gjojdeshi, 46 vjeç, nga Mbrostari i rrethit të Fierit. Gjojdeshi, u prangos nga policia e Gjirokastrës mbrëmë ndërsa shoqëronte 12 shtetas në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se 12 klandestinët ishin qytetarë të Korçës dhe për secilin prej tyre 46-vjeçari do të përfitonte një shumë prej 800 eurosh.13 personat ishin nisur për në shtetin fqinj të Greqisë dhe ndalimi i tyre u bë në vendin e quajtur Kthesa e fshatit Glinë, rreth orës 20:00. Policia po vazhdon punën për zbardhjen më të plotë të linjës së trafikut të klandestinëve, si dhe për të realizuar kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, duke qenë se dyshohet për një rrjet më të gjerë. Ndërkohë në pranga është vënë Behar Gjojdeshi nën akuzën e ‘dhënies ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi.