E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania e Madhe, e bashkuar në Olimpiadë

Britania e Madhe do të jetë e bashkuar në futboll në Olimpiadën Londra 2012. Me gjithë pakënaqësitë që kanë shfaqur Skocia, Uellsi e Irlanda e Veriut, yjet si Gareth Bale, Aaron Ramsey, Wayne Rooney, David Beckham etj. do të luajnë së bashku në evenimentin më të madh të sportit në botë vitin që vjen. Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 08:40

Anglia i ka obliguar Skocinë, Uellsin e Irlandën e Veriut që t’i tregojnë lojtarët e gatshëm të cilët do të luajnë për Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike Londra 2012.

Yjet si Gareth Bale nga Tottenham e Aaron Ramsey nga Arsenal mund të selektohen, pasi që FA (Federata e Futbollit e Anglisë) dhe Asociacioni Olimpik i Britanisë lëshuan një vendim të përbashkët, i cili zemëroi këto vende.

Do të jetë hera e parë që ekipi i Britanisë së Madhe kompletohet që nga Olimpiada e Romës në vitin 1960. Uellsi dhe Skocia e quajtën këtë vendim si ide të dështuar për të shitur më shumë tiketa. Edhe skuadra e femrave do të jetë e bashkuar, për herë të parë.

Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Skocisë, Stewart Regan, ndihet i zhgënjyer me këtë vendim. “Ne jemi kundër pjesëmarrjes në ekipin e Britanisë së Madhe. Ne kemi nevojë ta mbrojmë identitetin tonë”, tha ai.

Të martën është marrë vendimi që FA e Anglisë ta menaxhojë ekipin dhe t’i selektojë lojtarët, të cilët i zgjedhin federatat përkatëse. Andaj, yjet uellsianë si Bale e Ramsey, të cilët janë treguar të gatshëm të marrin pjesë, tashmë e kanë ‘vizën’ përfundimtare që të marrin pjesë në Olimpiadë.

Konfirmimi arrin vetëm disa ditë para se të fillojë shitja e më shumë se një milion biletave për turneun e futbollit. Federata e Futbollit e Uellsit, e Irlandës së Veriut dhe e Skocisë tashmë frikësohen se do t’u mohohet pavarësia që në të ardhmen të marrin pjesë në evenimente si Kampionati Botëror.

Shefi ekzekutiv i Asociacionit Olimpik të Britanisë, Andy Hunt, thotë se pjesëmarrja e ekipit të bashkuar të Britanisë së Madhe në Olimpiadën 2012 do të jetë ndër momentet përcaktuese dhe kritike të Lojërave Olimpike të Londrës.

Menjëherë është përgjigjur Federata e Futbollit e Skocisë. “Supozoj se Andy Hunt është nën presion nga Komiteti Organizativ dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që të shesë sa më shumë bileta për evenimentin e futbollit”, deklaroi shefi ekzekutiv i kësaj federate, Regan.

Përpos Bale e Ramsey, për ekipin e Britanisë së Madhe do të luajnë edhe Wayne Rooney, por edhe David Beckham. Ky i fundit ka shfaqur dëshirën të jetë i pranishëm në Londër si lojtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›