E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll trajner spanjoll per Tiranen

Askush nuk mund të ndalohet që të ëndërrojë, pra as sponsorët, donatorët apo presidentët e klubeve shqiptarë të futbollit. Një ëndërr e ka këto ditë edhe bosi i Tiranës, Refik Halili, i cili dëshiron të sjellë në krye të skuadrës bardheblu një trajner nga Spanja.

Emri i përfolur është Hulian Rubio Sançez, një specialist që ka arritur të drejtojë edhe Seviljen e famshme 14 vjet më parë, por që në përgjithësi ka qenë i detyruar të kënaqet me skuadra shumë më të vogla si Albasete Balompie, Rekreativo Huelva, Elçe, Sevilja B, Ehido, Mursia apo Kadis. Trajneri 59-vjeçar nuk punon që nga marsi i vitit 2010 kur u shkarkua nga Albasete Balompie në kategorinë e tretë spanjolle.

Nuk duhet nëse palët do të bien dakord, ndërsa pritet të bisedohet sot, por gjithsesi Halili e ka ëndrrën e tij. Pasi u përmendën trajnerët shqiptarë si Alban Tafaj, Shkëlqim Muça apo Ernest Gjoka, vendin e të larguarit kroat, Misho Krstiçeviç, mund ta zerë një spanjoll.
Tirana ende mbetet në ajër lidhur me skuadrën, sepse nuk është mbyllur procesi zgjedhor për bashkinë e Tiranës në mënyrë që të përcaktohet bashkëpunimi i ardhshëm dhe kontributi bashkiak për bardheblutë. Po ashtu, vonesa e ardhjes së një trajneri ka bërë që formimi i ekipit të tejkalojë limitet normale.

Pas 22 ditësh, Tirana do të duhet të zbresë në fushë për ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Europës ndaj Spartakut të Trnavës ose Zetës së Golubovcit, por as nuk dihet se cila do të jetë skuadra që të luajë në atë ndeshje dhe se çfarë faze përgatitore do të ketë bërë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›