E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premton suksese edhe në Chelsea

Chelsea e ka emëruar trajnerin e ri. Ai do të jetë portugezi Andre Villas Boas, i cili do të udhëheqë klubin londinez në tre vjetët e ardhshëm. Portugezi kërkon që në klubin e ri të punojnë të gjithë për të arritur deri te sukseset. 33 vjeçari thotë se në Londër dëshiron t’i vazhdojë sukseset e nisura në Porto. Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 08:38

Andre Villas Boas edhe zyrtarisht është emëruar trajner i Chelseas. Këtë e ka konfirmuar edhe klubi londinez, i cili ka bërë të ditur se trajneri portugez ka nënshkruar kontratë 3 vjeçare.

“Chelsea ka kënaqësinë t’ju njoftojë se Andre Villas-Boas do të jetë menaxher i ri i klubit. Ai ka nënshkruar kontratë trevjeçare dhe do ta nisë punën menjëherë. Andre ka qenë kandidati kryesor për këtë post.

Ai është njëri prej trajnerëve më të talentuar në futbollin e sotëm. Ai ka arritur suksese për një kohë të shkurtër. Ambiciet e tij përshtaten me ato të Chelseas”, shkruan në ueb faqen e ‘Blues’.

‘Special Two’ kishte punuar tri vjet në Chelsea si zëvendës i Jose Mourinhos. Villas Boas sezonin e fundit është shpallur kampion i Portugalisë me Porton, derisa ka triumfuar edhe në Europa League.

“Nuk duhet të pritet shumë nga një person, ngase nevojitet ta krijojmë një grup dinamik ku do të punojmë të gjithë së bashku për një objektiv të vetëm, ta sigurojmë vazhdimësinë e suksese të këtij klubi. Për këtë duhet të reflektojë ajo që ky klub ka bërë në 6 vjetët e fundit dhe për atë që ne mund të bëjmë në gjashtë vjetët e ardhshëm. Për mua sfidë do të jetë vazhdimi i sukseseve. Jam një person që dëshiron vetëm të fitojë”, ishin fjalët e para të trajnerit portugez.

Chelsea i ka paguar 15 milionë euro për klauzolën e shkëputjes së kontratës së trajnerit portugez me Porton. Drejtuesit e Chelseas shpresojnë që me trajnerin 33 vjeçar t’u rikthehen trofeve, derisa primare do të mbetet Liga e Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›