E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi s’emëron kreun e Kushtetueses për hesape të tij personale

Ekspertët juridikë sqarojnë se kreu i shtetit ka patur në dispozicion kohën e mjaftueshme për të nisur seleksionimin e kandidatëve, për të emëruar në kohë kreun e GJK. Alibeaj: I paligjshëm ushtrimi i funksionit të Vladimir Kristos


Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Thimio Kondi ka komentuar debatin që ka përfshirë institucionin e Presidentit të Republikës mbi emërimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, mandatin e këtij të fundit dhe hapësirën kushtetuese që ka kreu i shtetit në këtë proces. Kondi sjell për analogji rastin e tij kur në 4 qershor të vitit 2008, u largua nga detyra e kryegjyqtarit të lartë për shkak të përfundimit të mandatit të tij kushtetues.
“është e pajustifikueshme që, qoftë Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese të mbeten për një kohë të gjatë pa kryetar të tyre. Unë kam parasysh rastin e Gjykatës së Lartë. Pas largimit tim nga Gjykata e Lartë, me mbarimin e mandatit 9 vjeçar, pra që mbaroi më 4 qershor të vitit 2008, disa muaj resht, afërsisht 6 muaj, Gjykata e Lartë mbeti pa kryetar. Kjo nuk ishte e justifikueshme. Dihej që mandati më mbaronte më 4 qershor dhe që më përpara duhet të kishin filluar procedurat e seleksionimit të kandidaturave”- u shpreh Kondi, duke e konsideruar si të pajustifikueshme veprimin e kreut të shtetit, për të lënë ka kryetar prej 2 muajsh, Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, duket i pa vlerë arsyetimi i shtyrjes në kohë i këtij procesi për shkak të mungesës së kompletimit me anëtarë, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur katër prej tyre u ka përfunduar mandati kushtetues.
“Problemi që duhet shtruar është se kush e pengonte Presidentin, që në pranverë, para pranverës, në fillim të dimrit, të fillonte procesin seleksionimit të kandidaturave. Ky është proces është shumë i rëndësishëm”- tha ish kreu i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Viktor Gumi, u shpreh se interpretimi i ligjit themelor të çon në logjikën e pastër se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. “Kryetari i GJK-së gëzon mandat 3 vjeçar. Kushtetuta dhe ligji nuk bën asnjë situatë tranzitimi të kësaj dispozite, në rast se skadon ky afat. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese ka kryetarin e saj, vetëm për 3 vjet, për pasoj në këtë rast kemi shkelje të kushtetutës”- u shpreh deputeti demokrat, Viktor Gumi.
Gumi sjell një tjetër arsyetim kur thotë se vetë ligji themelor nuk e detyron presidentin të zgjedhë mes 9 anëtarëve, çfarë nënkupton se ai mund ta kishte zgjedhur kreun e ri dhe ndër pesë gjyqtarët me mandat.
“Ky nuk është përcaktim kushtetues, madje në rastin konkret kur ne kemi një shumicë anëtarësh për të plotësuar, nuk besoj se duhet pritur deri në hyrjen në parlament, për të përcaktuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, duke ditur edhe kompetencat e rëndësishme që ka kryetari i GJK. Që ditën e emërimit të një funksionari të Gjykatës së Lartë apo Kushtetueses, ne e dimë se kur mbaron ky mandat. Kjo do të thotë që puna përgatitore, puna përzgjedhëse, puna konsultuese, puna e presidentit të Republikës dhe puna e Kuvendit, duhet të jetë e rakorduar në një mënyrë të tillë që ka mundësi edhe 24 orë të mos e lemë vendin bosh, ose më saktë në rastin e Gjykatës Kushtetuese, me tejkalim të mandatit, sikundër e parashikon Kushtetuta. Unë besoj që rasti i Kushtetutës kur një gjyqtar qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, është rast përjashtimor, por ky rast përjashtimor nuk duhet shndërruar në një rregull të përgjithshëm, në sensin që s’ka gjë, le të rrinë se ne gjyqtarët i kemi. Në të kundërt, humbet sensi i afatit kohor. është një situtë po aq e papranueshme për KLD-në. Ka dy vjet e ca, që anëtarët e rinj nuk zgjidhen dhe vijojnë anëtarët e vjetër të KLD-së. Kësisoj, ne kemi shkatërruar konceptin e mandatit”- deklaroi deputeti, Gumi.
Mandati kushtetues 3-vjeçar i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese përfundoi në 4 qershor të 2010. Presidenti i Republikës ka deklaruar se zëvendësimin e kreut aktual Vladimir Kristo, duke e lënë në këtë fundit në detyrë, do ta bëjë në muajin shtator. Një deklarim, që ka nxitur reagime të ashpra të mazhorancës, e cila e ka cilësuar këtë një akt të paprecendentë, shkelje të Kushtetutës, duke propozuar madje dhe thirrjen e kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni të rëndësishëm siç është Gjykata Kushtetuese.


Alibeaj: I paligjshëm ushtrimi i funksionit të Vladimir Kristos në krye të GJK

Lidhur me debatin e fundit mes mazhorancës dhe presidencës, për skadimin e afatit kushtetues të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, deklaron se qëndrimi në detyrë i Vladimir Kristos është i jashtë ligjshëm.
Sipas ish ministrit të Drejtësisë nuk ka asnjë bazë ligjore që të justifikojë mbajtjen e kryesisë së Kushtetueses nga Kristo përtej 3 qershorit.
“Nuk thotë ligji asnjë parashikim që nëse nuk zgjidhet, nuk procedohet me zgjedhjet e një anëtari të ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë. Praktikisht, me kalimin e këtij mandati nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm formalisht, por dhe substancialisht”- u shpreh deputeti, Alibeaj.
Po ashtu konstitucionalisti Luan Omari, shprehet se pa kryetar juridik puna në Kushtetuese mund të quhet e bllokuar. “Në fakt bllokohet, pa kryetar. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet zëvendësuar, nuk parashikon se ai qëndron në detyrë derisa të zëvendësohet”- tha ai.
Ndonëse presidenca i ka lënë për në shtator emërimet e reja në këtë gjykatë, sipas Alibeajt, presidenti nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta zgjedhur kryetarin që tani nga 9 –shja aktuale.
“Pa asnjë lloj dyshimi kryetari i ri mund të zgjidhet nga secili prej nëntë anëtarëve sepse ligji thotë, mandati kryetarit është brenda mandatit të anëtarit. Sigurisht mund të ndërpritet më parë mandati si anëtar, që do të thotë automatikisht dhe i atij si kryetar, por që nuk ka asnjë lloj vakuumi apo pamundësie për të zgjedhur me probabilitetin më të madh midis nëntë anëtarëve. Gjithmonë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka nëntë anëtarë, me mandat të skaduar ose jo, ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe kjo është zgjidhja ligjore”- deklaroi Alibeaj.
Edhe pas afro 2 muajsh nga skadimi i afatit kushtetues, Vladimir Kristo, vazhdon të ushtrojë funksionet si kryetar, madje edhe duke heshtur gjatë gjithë kësaj kohe që politika dhe mediat ka rrahuar shkeljen e Kushtetutës nga presidenti i Republikës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›