Britania e përkrahë kandidaturen e ministres franceze për FMN

Britania përkrah zyrtarisht kandidaturën e Ministres aktuale të Financeve të Francës, Kristine Lagard, për tu bërë udhëheqësja e re e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
FMN ka mbetur pa shef, pasi politikani francez, Dominik Shtraus Kan, dha dorëheqjen për shkak se u arrestua nga policia e Nju Jorkut, me akuzat për abuzim seksual.
Përmes një komunikate, Shefi i Thesarit në kabinetin britanik, Xhorxh Ozborn, e ka quajtur ministren Lagard si “një kandidate të shkëlqyer” për ta udhëhequr FMN-në.
Deklarata gjithashtu njofton se Ministrja e Financave të Francës ka treguar “lidership të vërtetë ndërkombëtar” si udhëheqëse e Grupit të 20 ministrave të financave dhe një përkrahëse e fuqishme e shteteve që bëjnë përpjekje për të reduktuar deficitet e larta buxhetore.
Deklarata britanike gjithashtu ka nënvizuar se nëse zgjidhet, Lagard, do të jetë e para femër që merrë timonin e FMN-së në historinë e saj 60-vjeçare.
Sipas një marrëveshjeje në mes të vendeve evropiane dhe SHBA-ve, një evropian gjithmonë ka qenë në krye të FMN-së, ndërsa një amerikan ka udhëhequr rregullisht Bankën Botërore.