E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania i refuzon hyrjen politikanit holandez

Politikani holandez i ekstremit të djathtë, Gert Uilders, përgjegjës i një fillimi që konsiderohet gjerësisht si islamofobik, zuri faqet e para të gazetave të enjten, në çastin kur iu ndalua hyrja në Britaninë e Madhe nga autoritetet e këtij vendi. Mësohet se politikani kishte në plan të shfaqte filmin e përfolur, të titulluar "Fitna" në Dhomën e Lordëve. Autoritetet britanike pranuan zyrtarisht se nuk i kishin lejuar politikanit holandez hyrjen në territorin e vendit.

Incidenti ndezi polemika të forta në Holandë, duke qenë se bëhet fjalë për një pjesëtar Parlamenti të zgjedhur në rrugë diplomatike me votat e popullit, të cilit i ndalohet hyrja në një vend tjetër, që për më tepër është anëtar i Bashkimit Evropian. Pasi u intervistua shkurt nga autoritetet britanike të emigracionit, Uilders u detyrua të merrte një avion për t‘u kthyer në Holandë.

"Atij iu refuzua hyrja. Të gjithëve që u refuzohet e drejta për të hyrë në vendin tonë izolohen dhe kthehen mbrapsht", tha një zëdhënës i autoriteteve britanike të emigracionit për agjencinë franceze të lajmeve AFP. "Qeveria e kundërshton ekstremizmin në të gjitha format që mund të shfaqet. Veprimi do të ndalë ata që kërkojnë të përhapin ekstremizmin, urrejtjen dhe mesazhet e dhunës në komunitetet tona".

Politikani holandez bëri ç‘mundi për të rrëzuar urdhrin e autoriteteve britanike për t‘i ndaluar hyrjen në vend dhe shfaqjen e filmit "Fitna" në Dhomën e Lordëve, ku edhe ishte ftuar për ta bërë këtë. Në një letër të dërguar gjatë fillimit të javës, autoritetet britanike e kishin vënë Uildersin në dijeni, se vizita e tij përbënte "një kërcënim të vërtetë dhe mjaft serioz ndaj një prej interesave themeltare të shoqërisë sonë. Qëndrimet e tija mbi myslimanët dhe mbi atë që ata besojnë, i shprehur si në filmin ‘Fitna‘ e në raste të tjera, do të kërcënonte harmoninë e komunitetit tonë dhe njëherësh edhe sigurinë publike". Masa në fjalë, sipas asaj që thonë britanikët, është bazuar te ligjet e Bashkimit Evropian, që u jep të gjitha shteteve të drejtën t‘i refuzojë hyrjen kujtdo që përbën kërcënim për sigurinë e vendit.

Gjatë një interviste të dhënë kësaj jave në emisionin "Hardtalk", të rrjetit mediatik BBC, sekretari britanik i Jashtëm, David Miliband, e mbrojti vendimin e autoriteteve shtetërore për t‘i ndaluar hyrjen Uildersit, duke e përshkruar "Fitna"-n si një film që përmbante "nota ekstreme urrejtjeje kundër myslimanëve". Ndërkohë që gjatë emisionit u shpreh se ndërkohë që Britania është një vend i "përkushtuar thellësisht" ndaj lirisë së fjalës, "nuk mund ta konsideroj liri ndezjen e shkëndijave në një kinema të mbushur plot me njerëz dhe se, sipas ligjeve të shtetit, nuk mund të konsiderohet liri as përpjekja për të nxitur zemërim, urrejtje racore e fetare".

Sipas asaj që shkruhet në gazetën holandeze "NRC Handelsblad", ambasadori holandez në Londër shkoi personalisht në aeroportin "NRC Handelsblad", ku u ndalua Uilders për të paraqitur shqetësimin e shtetit të vet për këtë veprim dhe mësohet se u përpoq deri në çastin e fundit t‘i krijonte mundësinë politikanit ekstremist të hynte Britani. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme holandeze tha për agjencinë e lajmeve ANP se "Holanda e pret shumë keq faktin që Mbretëria e Bashkuara nuk e ktheu vendimin për t‘i refuzuar z. Uilders hyrjen në territorin e saj".

Profili

Por gjasat janë që vendimi i autoriteteve britanike për t‘i refuzuar hyrjen Gert Uildersit, e ka kthyer politikanin pikërisht aty ku i pëlqen më shumë të gjendet: në qendër të vëmendjes. Politikani katolik i ekstremit të djathtë nga Holanda e Jugut e sheh veten si trashëgimtar i një tjetër njeriu të kthyer në ikonë të së djathtës holandeze, Pim Fortuyn, politikani që u vra pas fushatës së ashpër për t‘i dhënë fund multikulturalizmit tradicional holandez, si edhe i Teo van Gogut, regjisori i vrarë me thikë në një rrugë të Amsterdamit, pas realizimit të një dokumentari, ku denonconte represionin që ushtrohet në botën islamike.

Uilder jeton prej thuajse katër vjetësh nën mbrojtjen e pandërprerë të forcave policore, nga frika se qëndrimet e tij të ashpra kundër islamit mund ta bëjnë edhe atë viktimë atentatesh. Gjithashtu ai është i njohur edhe për qëndrimet e ashpra ndaj establishmentit holandez: anëtarët e qeverisë së kristian-demokratit Jan-Peter Balkenende i konsideron si burracakë, ndërsa Mbretëreshën e akuzon për mbështetjen e "plehrave multikulturore". Tashmë konsiderohet si njeriu që kërkon të hedhë hapa prapa në atmosferën holandeze, e shquar për tolerancën ndaj emigracionit dhe ndaj kulturave të tjera në përgjithësi.

Fillimisht ishte deputet për Partinë konservatore-liberale VVD, por u shkëput prej saj dhe sot qëndron në Parlament si deputet i pavarur. Por, gjatë dy viteve të fundit, Partia e tij e re Liria, zotëron nëntë prej 150 vendeve në Dhomën e Dytë të Parlamentit. Pak më shumë se një vit më parë, Uilders rezultoi politikani më i efektshëm në Holandë.

Burimi kryesor i kundërshtive që ngrihen përreth tij janë qëndrimet ekstreme ndaj islamit. "Islami", tha gjatë një interviste të dhënë vitin e shkuar për britaniken "The Guardian", "nuk është besim fetar, është ideologjia e një kulture të vonuar". Ai e krahasoi Kuranin me "Mein Kampf" (Lufta ime) të Hitlerit dhe kërkoi ndalimin e qarkullimit të këtij libri të shenjtë. "Jo të gjithë myslimanët janë terroristë, por thuajse të gjithë terroristët janë myslimanë", i tha gazetarit të "The Guardian". "Islami është diçka që nuk mund ta lejojmë më gjatë në Holandë. Dua që Kurani fashist të ndalohet. Duhet të ndalojmë islamizimin e Holandës. Kjo do të thotë jo më xhami, jo më shkolla islamike, jo më imamë". Ndërsa ngulmon se po ushtron veç të drejtën e lirisë së të shprehurit, ai ndodhet nën gjykim në Holandë për deklarata që ngjallin urrejtje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›