E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania mbeshtet Shqiperine drejt integrimit ne BE

Kryeministri i Britanisë së Madhe David Kameron e siguroi kryeministrin shqiptar Sali Berisha për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj vendit tonë, në rrugën e saj drejt integrimit në familjen europiane. Kreu i qeverisë shqiptare u prit në një takim të veçantë, në mjediset e Pallatit Mbretëror, në Londër (Buckingam Palace), nga homologu i tij Cameron. Ishte një takim që zoti Berisha e shfrytëzoi për t’i shprehur mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saj për të ndërtuar demokracinë, bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin e vendit në NATO dhe, tani, në procesin e integrimit evropian. Po ashtu u vlerësua si i frytshëm bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit.
Reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha që nga viti 2005 dhe rezultatet e tyre ishin gjithashtu objekti i këtij takimi në të cilin u evidentua se në disa prej treguesve kryesorë të zhvillimit njerëzor, Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara. Reformat ekonomike kanë mundësuar një rritje ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, rritje të investimeve të huaja dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe dixhitale të vendi-theksoi kryeministri.
Berisha e njohu Kameron me bashkëpunimin pozitiv me opozitën, për plotësimin e kërkesave të KE për statusin e vendit kandidat, ndërsa siguroi se, për qeverinë e tij dhe për shqiptarët, integrimi i vendit në BE është projekti më kryesor dhe se ai e konsideron atë si një proces jetik dhe të bazuar në meritë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron vlerësoi arritjet e Shqipërisë, rritjen ekonomike dhe rezultatin e reformave në këtë fushe, si dhe e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.
Kryeministri vlerësoi dhe një herë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Shqipërisë, në 100 vitet e pavarësisë së saj dhe e ftoi Kryeministrin Cameron që të vizitojë Shqipërinë, në kuadrin e këtij jubileu. Kryeministri Cameron e uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e Pavarësisë, duke u shprehur se vlerëson ftesën dhe se do ta konsiderojë atë sapo t’i jepet mundësia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›