E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania mbështet tërësinë territoriale të Kosovës

Këto komente, ministri britanik i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu, të cilin e ka siguruar se qeveria e re britanike do të mbajë kursin e njëjtë të politikës mbështetëse ndaj Kosovës. Lidington tha se pret që procesi i interpretimit të pavarësisë së Kosovës në GJND të çoj proceset përpara dhe kurrsesi prapa.

“Presim që mendimi i ardhshëm i GJND-së do të na japë mundësitë që të ecim përpara dhe të mos kthehemi më prapa në debatet që tashmë janë vendosur në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, tha Lidington.

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pret që argumentet e GJND-së të vërtetojnë atë që populli dhe përfaqësuesit e Kosovës e kanë shprehur përmes deklarimit të pavarësisë.

Duke u ndërlidhur në dialogun e paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Dejvid Lidington tha se vendet që aspirojnë integrimet evropiane duhet t’i zgjidhin mospajtimet mes tyre para se t’i bashkohen BE-së.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që Serbia të përafrohet në integrime, nëse nuk tregon gatishmëri për raporte të mira me fqinjët.

“Nuk e di se sa vite do të kalojnë, por shpresojmë që një ditë kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i ngjashëm me atë që kanë sot Belgjika dhe Luksemburgu”, tha Ledington.

Ministri britanik ka folur dhe në lidhje me zhvillimet në Kosovë dhe misionin e EULEX-it. Ai ka veçuar gjendjen në pjesën veriore dhe luftën kundër dukurive negative si sfidat më të mëdha të këtij misioni.

“Ne do të jemi më të suksesshëm në sjelljen e investimeve në këtë vend nëse këtu ka një stabilitet politik dhe mbështetje të qartë nga të gjithë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”, theksoi Dejvid Lidington.

Ministri britanik po qëndron në Kosovë edhe në mbështetje të procesit të kthimit të personave të zhvendosur, për çka ai ka nënshkruar edhe mbështetjen projekteve të kthimit të serbëve në rajonin e Prizrenit. /kd/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›