E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania ofron mbështetjen për policinë shqiptare

Sipas Prençit, Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin me Agjensinë SOCA, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, duke dhënë kontribute në fushën e trajnimeve të oficerëve të policisë shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që i është nënshtruar Policia e Shtetit në dy vitet e fundit.

“Ndihmën që ka dhënë dhe jep Mbretëria e Bashkuar e ndiejmë çdo ditë me praninë e ekspertëve të saj pranë Policisë së Shtetit si dhe me projektet që po implementohen falë ndihmës së dhënë nga ju. Ndihma e dhënë nga SOCA ka rritur ndjeshëm performancën e Policisë së Shtetit, dhe konkretisht atë të policisë shkencore dhe të trupës e operacioneve speciale etj.,”- tha Prençi. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nënvizoj faktin se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi, do ti shërbente Policisë Shqiptare për rritjen akoma më shumë të aftësive profesionale.

Ndërkohë, që nga ana e tij  Drejtori i SOCA-s, z. Bill Hughes pasi vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit, garantoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për asistencë të vazhdueshme. “Jam i impresionuar nga puna e bërë nga Policia e Shtetit, jo vetëm brenda territorit tuaj por edhe në arenën ndërkombëtare. Jam informuar se keni pasur disa operacione policore në bashkëpunim me policitë homologe të vendeve evropiane, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, dhe që kanë rritur edhe besimin e punës suaj te ndërkombëtarët. Ne ju garantojmë se do të keni përkrahjen tonë jo vetëm në trajnimin e oficerëve tuaj, por edhe në fusha të tjera për të luftuar së bashku kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, terrorizmit, etj”, - u shpreh z. Hughes.

Sipas tij, agjencia SOCA në të ardhmen do të vazhdoj të jetë një partner kryesor në trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare.  

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›