E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e temperaturave, shtohen pacientët në QSUT

Rreth 200 pacientë të vegjël janë paraqitur pranë këtij spitali me simptoma të stinës. Sipas të njëjtave burime, pranë Spitalit Infektiv janë paraqitur rreth 100 pacientë, ndërsa në shërbimin e  kardiologjisë rreth 100-120 pacientë me simptoma nga temperaturat e larta.Mjekët bëjnë apel që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që janë të kontrolluara dhe të sigurta.

Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litrave ujë në ditë, fruta dhe zarzavate, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë. Evitimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00, është një tjetër këshillë për të gjithë njerëzit në kushtet e temperaturave të larta.

Reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapeles apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku) janë të tjera këshilla që japin mjekët. Ndërsa, disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurtë për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishit, etj.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›