Britania zbulon dosje të tjera sekrete mbi UFO-t
Dokumente të reja nga arkivat kombëtare britanike tregojnë mundësi të tjera për ekzistencën e UFO-ve në Britaninë e Madhe në 20 vitet e fundit, si dhe interesin e Winston Churchill për çështjen e objekteve të paidentifikuara fluturuese që prej vitit 1952. Lajmi është publikuar nga BBC. Edhe më parë, arkivat britanikë kishin publikuar të tjera dosje, për të shuar kureshtjen e madhe të publikut mbi këtë temë.
Më shumë se 6000 faqe përshkruajnë përvojat e një numri të madh njerëzish nga viti 1994 deri në vitin 2000. Publikimi i tyre u vendos në kuadrin e një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Arkivit Kombëtar. Dokumentacioni përfshin ngjarje të bujshme si ajo e parjes së UFO-ve në rrethinat e “Stamford Bridge” të çelsit në vitin 1999, apo në shtëpinë e ish-ministrit Michael Howard, dhe është e pasur me dizajne të realizuara nga dëshmitarët mbi objektet fluturuese që ata kishin parë. Janë të shumtë dëshmitarët që tregojnë se kanë parë objekte të paidentifikuara të rrotulloheshin afër shtëpisë së ish-ministrit anglez dhe pastaj të zhdukeshin menjëherë në një rreze drite. Një vajzë tregon se ka parë për disa minuta një objekt trekëndësh të fluturonte jo shumë lart nga Toka. Të tjerë e përshkruajnë objektin të madh sa një makinë dhe plot me drita që shkëlqenin. Atë ditë, sipas dokumenteve, nuk kishte “asnjë stërvitje ushtarake ajrore”. Incidenti, i ndodhur më 8 mars të vitit 1997, është vetëm një prej qindra dëshmive të këtyre objekteve që katalogohen si të pashpjegueshme. Mes episodeve që nuk kanë gjetur shpjegimin janë edhe ato të forcave të rendit në Lincolnshire, kur agjentët arritën të filmonin UFO-t, apo rrëfimet e disa zyrtarëve të ushtrisë që tregojnë se kanë parë filmime të realizuara nga pilotët e Raf që nga mesi i viteve ‘70. Tregimi më magjepsës mbetet ai i dy të rinjve nga Staffordshire, që në vitin 1995 tregojnë se kishin parë “një objekt me ngjyrë argjendi të errët, në formë pjate, të kthyer përmbys, që emetonte dritë të kuqe nga poshtë. Përreth tyre temperatura ishte rritur. Objekti ishte shfaqur në një distancë prej 15 metrash me një lartësi të krahasueshme me një pallat me katër kate. Pastaj papritur një zë (nuk është saktësuar se në cilën gjuhë): “Ju duam ju, erdhi me ne”. Por dy të rinjtë nga frika e rrëmbimit nga jashtëtokësorët tregojnë se ia kishin mbathur nga sytë këmbët. Të rinjtë, thotë raporti i policisë, ishin në një gjendje konfuzioni. Në atë kohë, tregojnë dokumentet, UFO-t kishin ngjallur interesin e Kryeministrit Winston Churchill, që në vitin 1952 kishte kërkuar një dosje: “çfarë është kjo çështje për disqet fluturues? Cila është e vërteta?”. Nga ana tjetër, autori i "UFO files", David Clarke, konfirmon se si njerëzit sugjestionohen dhe influencohen nga telefilma dhe xhirime gjithmonë e më të sofistikuara mbi këtë temë, në veçanti në formën e objekteve që dëshmitarët përshkruajnë: “është e pamundur të tregosh një lidhje të drejtpërdrejtë mes asaj që njerëzit lexojnë apo shikojnë në televizor dhe asaj që përshkruajnë si UFO në përshkrimet e tyre. Por duhet thënë se inovacionet e fundit teknologjike ndikojnë në ato çka njerëzit shohin në qiell”. Por ndërsa rrëfimet janë gjithmonë e më të besueshme për ekzistencën e alienëve, Ministria e Brendshme britanike njoftoi mbylljen e departamentit zyrtar për sinjalizimet e njoftimet për praninë e objekteve të paidentifikuara në qiell. Ky departament kishte 50 vite që funksiononte dhe ka marrë mijëra njoftime për UFO. Megjithatë nuk ka pasur asnjë provë për ekzistencën e jashtëtokësoreve.
#