Dyshohet se kanë ngritur pasuri edhe pas arrestimit
Ligji i ri “Antimafia” fillon të zbatohet në terren, teksa të parët që do ta pësojnë do të jenë sërish dy nga organizatat kriminale më famëkeqe në Shqipëri, të kryesuara nga Aldo Bare dhe Lulzim Berisha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet për pasuritë e këtyre organizatave kriminale që janë në proces gjykimi në gjykatë, ndërsa ka dyshime se pas arrestimit të kapove, “ushtarët” kanë vazhduar aktivitetin, kësaj here duke investuar fitimet nga veprat penale në pasuri të paluajtshme dhe prona që kapin shifrat e miliona eurove. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kanë urdhëruar zyrën e sekuestrimeve të Krimeve të Rënda të fillojnë verifikimet në “terren”, pasi ka të dhëna se Banda e Lushnjës apo organizatat kriminale të qytetit të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle, e kanë shtrirë aktivitetin financiar, duke blerë prona në vende turistike apo kanë marrë drejtimin e mjaft bizneseve fitimprurëse. Megjithatë, objekti i verifikimeve nga prokurorët nuk janë pronat për të cilat është dhënë një vendim gjykate, por pasuritë që janë ngritur pas vitit 1998, kohë që kanë filluar veprat penale për të cilat akuzohen personat konkretë.
Mbledhja e informacioneveAgjencitë e zbatimit të ligjit “Antimafia” kanë filluar të mbledhin informacione për pasuritë e bandave kriminale që veprojnë dhe kanë vepruar në Shqipëri. Duke qenë se ligji ka fuqi prapavepruese, organi i prokurorisë po verifikon edhe pasuritë e organizatave kriminale, që janë shkatërruar më parë nga kjo prokurori, por që mund të kenë “lulëzuar” sërish, duke ngritur biznese fitimprurëse. Zyra e sekuestrimeve tek Krimet e Rënda do të mbledhë informacione në mënyrë operative për pasuritë e personave që preken nga ligji i ri “Antimafia”, ndërsa do të marrë aprovimin për pasuritë nga zyrat e hipotekave dhe kërkesat për llogari bankare në bankat e nivelit të dytë. Pas përfundimit të këtyre procedurave, nëse rezulton se këta persona kanë vendosur pasuri, do të realizohet kërkesa në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Megjithatë, ligji që ka hyrë në fuqi prej 20 ditësh ka lehtësuar barrën e provës për organin e akuzës. Nëse personat e hetuar, gjykuar e dënuar nuk kanë deklaruar të ardhurat, atëherë prokuroria urdhëron sekuestrimin, ndërsa gjykata vlerëson këtë masë shtrënguese.
Dosjet e rejaHyrja në fuqi e ligjit të ri “Antimafia”, ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme të fillojë punën për hartimin e disa akteve normative, me qëllim riorganizimin e strukturës së sektorit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve që ndodhet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pritet që në ditët pasardhëse të shtohet numri i prokurorëve, pranë këtij sektori. Ka të dhëna se në zyrën e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të ketë një volum të madh çështjesh për të verifikuar, krahas çështjeve ekzistuese, pasi ligji i ri ka shtuar edhe disa vepra penale që preken për sekuestrimin e pasurisë, siç është pastrimi i parave, shfrytëzimi i prostitucionit dhe të ardhurat nga shpërndarja e lëndëve narkotike. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se krahas dy prokurorëve që janë aktualisht në këtë detyrë, të shtohen edhe dy të tjerë, të cilët pritet të jenë nga radhët e trupës së prokurorëve që shërbejnë tek Krimet e Rënda. Për riorganizimin e kësaj strukture janë mobilizuar specialistë nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtuesit e Krimeve të Rënda si dhe Njësia e Përbashkët Hetimore e pagëzuar si Task-Forca.
#