Pas gripit të shpendëve e të derrit, shfaqet ai i lakuriqit
Shkencëtarët kanë gjetur prova të virusit të gripit te lakuriqët e natës për herë të parë, duke paralajmëruar se ky virus mund të kthehet në një rrezik real për njerëzit. Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA i gjetën fragmentet gjenetike të një virusi të paidentifikuar më parë në disa lakuriqë guatemalas. Viruset e gripit janë të zakonshme te njerëzit, shpendët, derrat e disa gjitarë të tjerë, por kjo është hera e parë që janë identifikuar te këta gjitarë me krahë. Disa shkencëtarë besojnë se lakuriqët e kanë marrë virusin e gripit disa shekuj më parë dhe tani, ai ka pësuar mutacion duke marrë këtë formë të re. Edhe pse nuk është provuar aftësia e këtij virusi për të kaluar në trupin e njeriut, rreziku është real. Ai mund të shkëmbejë gjenet dhe të shndërrohet në diçka më të rrezikshme epidemike. Zbulimi u publikua në gazetën amerikane Proceedings of the National Academy of Sciences.