"Britanikët kanë abuzuar me irakianët" Avokatët e ish të burgosurve akuzojnë
Veç amerikanëve të burgut famëkeq të Abu Grabit, duket se po vijnë akuza të reja në adresë të disa ushtarëve britanikë, që kanë përdorur të njëjtat mënyra poshtëruese ndaj irakianëve si kolegët e tyre amerikanë. Ministria britanike e Mbrojtjes ka marrë në shqyrtim akuzat. Ndër to mund të përmendet ajo e përdhunimit të një djali 16-vjeçar nga dy ushtarë britanikë. Në fakt bëhet fjalë për 33 raste abuzimesh ndaj të burgosurve irakianë. Avokatët e palës irakiane pretendojnë se ushtarët britanikë kanë përdorur të njëjtat metoda të poshtërimit dhe abuzimit seksual si edhe ata amerikanë. Ministria e Mbrojtjes, përveç lajmit për hetimin e rasteve, ka vënë në dukje se pjesa më e madhe e ushtarëve amerikanë kanë shërbyer me nder gjatë qëndrimit të tyre në Irak. "Akuza të kësaj natyre merren shumë seriozisht, megjithatë nuk duhet të bëhen gjykime të parakohshme", bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë britanike të Mbrojtjes. Mendohet se të burgosurit janë abuzuar si nga personeli mashkullor, ashtu edhe nga ai femëror. Ndër akuzat e irakianëve janë edhe ato të detyrimit të të burgosurve për të kryer akte seksuale me njëri-tjetrin. Më pas atyre u janë bërë fotografi dhe u janë nënshtruar torturave të ndryshme. Pjesa më e madhe e të keqtrajtuarve irakianë kanë pasur frikë që të akuzojnë keqbërësit e tyre dhe vetëm pas mbështetjes që i kanë dhënë disa avokatë kanë guxuar që të padisin ushtarët abuzues. Tashmë ata kërkojnë një hetim publik të çështjes dhe të të gjitha rasteve të abuzimit që kanë shkaktuar dëme të mëdha njerëzore. Një nga mbrojtësit irakianë të të drejtave të njeriut, që merret me hetimin e trupave britanike që nga viti 2004, tha se shumë viktima e kishin pritur me vite të tëra ditën e akuzës dhe të vendosjes së drejtësisë në vend. Në një intervistë për një të përditshme britanike, ai tha se njerëzit ishin të trembur nga britanikët, sepse niveli i abuzimeve ishte aq i madh saqë njerëzit kishin frikë se po të akuzonin, do të dënoheshin. Për sa i përket amerikanëve, 11 prej tyre iu nënshtruan gjyqit ushtarak për shkak të abuzimeve të turpshme që kishin bërë me të burgosurit irakianë.