Brixhston merr vendimin: Pas 2010-s largohemi nga F.1
Formula 1 duhet të kërkojë një tjetër kompani për furnizimin me goma të skuadrave që garojnë në “cirkus”. Në fakt, “Brixhston”, e cila prej 2008-s është furnizuesja e vetme me pneumatikë, konfirmoi vendimin për t’i dhënë lamtumirën aktivitetit në fund të këtij sezoni. “Për fat të keq, kompania jonë e ka marrë vendimin dhe nuk do ta ndryshojë”, deklaroi Hiroshi Jasakaua, menaxheri i përgjithshëm i firmës japoneze për “Autosport”. Ai ka përgënjeshtruar çdo spekulim rreth një kthimi mbrapa, ndërsa shpjegoi se do të ndjekë me vëmendje negociatat që FIA do të hapë me furnitorët e gomave për të ardhmen. Jasakaua theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë informacion nëse kolosi japonez i gomave do t’ua shesë kompanive të tjera teknologjinë që zotëron. Drejtuesi i “Brixhston” foli edhe për MotoGP, një tjetër sport ku kompania është aktive, duke nënvijëzuar se do të shqyrtohet edhe largimi nga klasi “Mbretëreshë”, nëse kushtet e kontratës nuk do të jenë më të favorshme. Kandidatet më të forta për të furnizuar Formula 1 janë koreanet “Hankok” e “Kumho”.
#