Partizani, tifozët mbështesin skuadrën
Ashtu siç e kishin paralajmëruar, disa dhjetëra tifozë të Partizanit u mblodhën gjatë pasdites në ambientet e klubit, për të shprehur mbështetjen për skuadrën e zemrës. Edhe pse ishte paraqitur si një formë proteste, gjithçka ka shkuar e qetë dhe më tepër është dukur se fansat e “demave” kërkonin të konfirmonin se ndodhen pranë klubit në këto momente të vështira. Ekipi kryeqytetas rrezikon të mbetet pa fusha stërvitore, një problem që ka sjellë edhe përplasje mes drejtuesve dhe pronarëve të tokës. Mbështetësit janë paraqitur me flamuj e banderola, ndërsa kanë ndjekur stërvitjen e të kuqve të drejtuar nga Gerti Haxhiu për sfidën me Kamzën. Nuk munguan as thirrjet e huazuara nga tifozët e klubit legjendar anglez, Liverpul, ku në një parullë gjigante shkruhej: “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”.
#