Barcelona e Man. Junajtid, favoritet e çerekfinaleve
Barcelona, kampione në fuqi e Champions League dhe Mançester Junajtid, finaliste e edicionit të kaluar, paraqiten në shortin e sotëm që do të hidhet në Nion të Zvicrës (ora 12:00) si favorite. Ky fakt nuk përbën asnjë surprizë, pasi kampionët e Spanjës dhe të Anglisë po kalojnë një moment të shkëlqyer falë formës së dy yjeve të sulmit, Lionel Mesi dhe Uejn Runi. çudia më e madhe e shortit për çerekfinalet e aktivitetit më prestigjioz për klube mund të cilësohet fakti se mes tetë ekipeve më të mira përfaqësohen gjashtë shtete: në sezonet e fundit Champions-i është dominuar nga skuadrat e Premiershipit dhe La Ligas. Vitin e kaluar, Spanja dhe Anglia kishin gjashtë ekipe në çerekfinale, ndërsa gjatë dy edicioneve të fundit, këto shtete kishin “zaptuar” katër vendet në gjysmëfinale.
CSKA-ja e Moskës bëhet skuadra e parë ruse që arrin në këtë fazë të kompeticionit që prej vitit 1996, ndërsa Bordo dhe Lion e kthejnë Francën në çerekfinale pas katër vitesh. Interi, që kërkon triumfin europian prej vitit të largët 1965, është e vetmja përfaqësuese e Italisë, ndërsa 4 herë fituesit e Champions-it, Bajerni i Mynihut, mban flamurin e Gjermanisë. Premiershipi përfaqësohet “vetëm” nga Arsenali dhe Mançester Junajtid: ecuria më e dobët e klubeve britanike në këtë aktivitet që prej vitit 2006. Zhgënjim edhe për Spanjën, ku Barça është e mbijetuara e vetme, ndërsa Reali i Madridit dhe Sevilja u eliminuan.
Trajneri i katalanëve, Pep Guardiola, deklaroi se nuk ka asnjë preferencë për kundërshtarin e radhës, ku shorti do të jetë i lirë dhe nuk do të ketë kufizime për sa i takon renditjes së klubeve apo vendeve që përfaqësojnë. “Të gjitha skuadrat që kanë mbetur në garë janë shumë të forta. Duhet të paraqitemi shumë mirë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale”, deklaroi ai pas fitores 4-0 me Shtutgartin. Protagonisti absolut i triumfit “blaugrana” ishte Lionel Mesi, me dy gola të realizuar: “Lojtari më i Mirë” i vitit 2009 arriti kuotën e 31 rrjetave në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Ndërkohë, Uejn Runi ka realizuar 32 rrjeta, duke llogaritur edhe dygolëshin në sfidën ku Junajtid shkatërroi 4-0 kampionët e vitit 2007, Milanin. Sulmuesi i Barcelonës, Tierri Hanri, e ka të qartë rrezikshmërinë që paraqet skuadra e Sër Aleks Ferguson, por francezi nuk ka frikë të luajë në “Olld Traford”. “E vetmja skuadër ndaj të cilës nuk dëshiroj të luaj është Arsenali”, deklaroi “Titi”. Në anën tjetër, kapiteni i Bajernit, Mark van Bomel, kërkon të evitojë transfertën në “Kamp Nou”, ku gjermanët u turpëruan në sfidën e parë çerekfinale gjatë edicionit të kaluar. “Vetëm jo kundër Barçës”, deklaroi holandezi, i cili nuk e ka harruar humbjen 4-0, ku dy gola u realizuan nga Mesi. Por, surprizat në 1/8 kanë rritur besimin e bavarezëve për të triumfuar. “Pa çelsin dhe Realin e Madridit, dy prej pretendenteve që u eliminuan, tashmë kemi më tepër shanse për ta fituar Champions-in”, tha sulmuesi Mario Gomez. Ndeshjet e para të çerekfinaleve do të luhen më 30 dhe 31 mars, ndërsa takimet e kthimit më 6 dhe 7 prill. Në Nion do të përcaktohen edhe duelet e gjysmëfinaleve, të cilat do të zhvillohen më 20-21 dhe 27-28 prill.
#