Brok: Dialogu, arsye e fortë për marrjen e statusit

Eurodeputeti Elmar Brok
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ndodhet në Bruksel në kuadër të një vizite zyrtare dy-ditore ku po raporton lidhur me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe impaktin e tyre pranë Komisionit dhe Parlamentit Europian.
Gjata takimit të saj me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Elmar Brok, Bregu bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit lidhur me ecurinë e reformave.
Sipas Bregut, brenda muajit maj, Komisioni i Punëve të Jashtme pranë Parlamentit Europian, do të organizojë një seancë dëgjimore për Shqipërinë.
Eurodeputeti Brok, në fjalën e tij e vuri theksin tek çështja e zgjidhjes së dialogut politik dhe parlamentar në Shqipëri.
Mendoj se së pari, është e rëndësishme çështja e zgjidhjes së dialogut politik dhe parlamentar në Shqipëri. Ne presim si Parlament që në fund të majit të kemi rezultate për përfundimin e reformave, çka do të ketë një impakt të madh për konstituimin e statusit të kandidatit për Shqipërinë.
Brok u shpreh se Parlamenti Evropian do të shohë me kujdes rezultatet e Shqipërisë, por ai u shpreh optimist për marrjen e statusit, kur tha se, duke qenë se vitin e shkuar pengesa kryesore ka qenë pikërisht dialogu politik, ka një arsye të fortë për marrjen e statusit të kandidatit këtë vit.
Bregu ndërkaq ka zhvilluar një serë takimesh të tjera informuese, ndërsa gjatë qëndrimit dy- ditore të saj në Bruksel ajo do të zhvillojë edhe një serë takimesh të tjera.