E Diel, 1 Nëntor 2026

Brokaj: Telefonata nga Athina që rrëzoi rezolutën çame në ‘04

TIRANE-Ish-deputeti socialist Sabit Brokaj tregon situatën në të cilën është diskutuar dhe votuar në vitin 2004 për rezolutën çame. Sipas Brokajt, Konferenca e Kryetarëve kishte vendosur për ta votuar në Parlament, por më pas qëndrimet kanë ndryshuar për shkak të ndërhyrjeve nga Athina. Brokaj tregon se PS ndryshoi qëndrim pas ndërhyrjeve, PD nuk pati kurajën ta bëjë çështje debati në Kuvend, ndërsa seanca votoi sipas tij kërkesën nëse duhet futur në rend të ditës ose jo kjo rezolutë e paraqitur nga Partia e Ballit Kombëtar.
Ju në vitin 2004 keni qenë deputeti rebel ndaj qëndrimit të Grupit Parlamentar duke votuar pro rezolutës çame, ndërkohë që Grupi socialist ka abstenuar. Si ka qenë e vërteta?
Rezoluta ka qenë përpiluar nga Partia e Ballit dhe është miratuar në Konferencën e Kryetarë të grupeve parlamentare. Në momentin që do të hidhej rezoluta për votim në seancë, seanca u ndërpre dhe u zhvillua një mbledhje e Grupit Parlamentar socialist. Aty u gjykua që të mos votohej.
Mos të futej në seancë për votim?
Po, të mos përfshihej në votimin e asaj dite. Kuptohet, PS ishte grupi maxhoritar dhe pa votat e PS rezoluta nuk mund të futej në seancë.
Deri në atë kohë cili kishte qenë qëndrimi i shprehur i grupeve parlamentare?
Të gjitha grupet parlamentare ishin pro, prandaj dhe rezoluta arriti deri në seancën plenare sipas procedurës parlamentare. Para se të shtrohej në seancë për diskutim, siç e thashë, u kërkua një pushim dhe në mbledhjen e Grupit u tha se kjo rezolutë nuk do të trajtohej tani. Mua ma kërkuan dhe personalisht që të mos ngrihesha dhe të mos diskutoja pro rezolutës, ngaqë e dinin se unë kisha një farë pavarësie në mendim dhe qëndrim.
Cila parti ishte iniciatore e rezolutës?
Ka qenë Partia e Ballit Kombëtar, madje kur m’u kërkua që të mos flas dhe ta mbroj, m’u tha që më mirë të bëhet një rezolutë tjetër që të mos pranonim këtë të Ballit Kombëtar.
Kishte njëfarë kompleksi PS ndaj kësaj partie dhe historisë së saj?
Jo PS, por individë të saj. Ata gjykuan se meqenëse unë kisha një ndjeshmëri ndaj Luftës Nacionalçlirimtare, do të kisha dhe kompleksin pse rezoluta ishte hartuar dhe paraqitur nga Balli Kombëtar. Problemi ishte çështja dhe jo Balli Kombëtar apo partizanët. Çështja ishte kardinale dhe me interes kombëtar. Mua ma thanë në kuptimin personal për të ngacmuar në një lloj ndjenje, meqenëse kisha mbrojtur kauzën e Luftës.
Çfarë ndodhi pas pushimit?
Në Grup Parlamentar unë e kundërshtova kërkesën për ta shtyrë për më vonë. Pati dhe diskutime të tjera, si Taulant Dedja, nuk jam i sigurt për Dritan Priftin e disa të tjerë. Përfundimisht u la që të mos votohej në seancë. Pas mbledhjes takova Bamirin, kryetarin e Grupit të PD-së. I thashë që të ngrihej dhe ta bënte çështje në seancë. Unë pashë që Bamiri ishte i frenuar. E dija mendimin personal të Bamirit, por me sa dukej edhe atij i kishte rënë ndonjë telefonatë, siç i kishte rënë dhe PS-së. E sigurt që ishte punë telefoni për PS-në. Edhe për PD-në mendoj se ka qenë kështu, dhe këtë ma përforcon fakti që për tetë vjet PD nuk e risolli rezolutën çame në Kuvend. Edhe sot PD ka rreth katër muaj që e ka në Parlament rezolutën çame dhe nuk e ka çuar në seancë, por risjell historinë e 2004-s. Në fakt, të dyja partitë, si PS dhe PD, kanë qeverisur nga tetë vjet dhe asnjëra nuk e kaloi rezolutën.
Cili ishte reagimi i PD-së për rezolutën çame në atë kohë?
PD nuk e ngriti në seancë dhe nuk pati kundërshtime fare, ndërkohë nga PS pati reagime që të futej në seancë dhe të votohej.
Si kaloi në seancë rezoluta?
Nuk kaloi fare në seancë.
Por kemi një votim për rezolutën çame…
Në seancë plenare u diskutua nëse duhej futur ose jo rezoluta për t’u diskutuar në seancë. Nuk u votua drafti i rezolutës, por vetëm kërkesa nëse duhej futur në seancë për votim ose jo. Në këtë kuptim, Serveti është i saktë në interpretimin e tij. Meqë shumica e votave në sallë nuk ishte për ta përfshirë në rendin e ditës, drafti i rezolutës nuk u votua. Kjo është e vërteta. Vlen të thuhet se në seancë atë ditë kanë munguar edhe Nano dhe Berisha.
Patët konsekuenca nga qëndrimi që ju mbajtët kundër qëndrimit të Grupit Parlamentar ndaj rezolutës çame?
Jo, jo, asnjë konsekuencë. Kjo është e vërteta. Unë e gjykoj që edhe Grupi ishte për këtë rezolutë, por fakti që u vu përpara një presioni apo diktimi.
Nga vinte diktimi?
Pa dyshim nga Athina, sepse është i vetmi vend që preket nga kjo çështje dhe Athina zyrtare e ka diktuar gjithnjë politikën shqiptare, sidomos për çështjen çame. Nuk kanë pse politikanët shqiptarë të mos e pranojnë që në një situatë të dobët që ka qenë politika shqiptare dhe e kompromentuar, nëse duam, Athina ia ka arritur që këtë çështje ta vendosë në hije dhe të mos e nxjerrë asnjëherë në dritën e diellit.
Tani janë kushtet që rezoluta mund të kalojë?
Për mua përherë mund të kalojë një rezolutë që shpreh vullnetin e Parlamentit shqiptar për këtë çështje. Problemi është sa principale në çështjet kombëtare është klasa politike. Aq më shumë që edhe ajo rezolutë e 2004-s ka qenë mjaft korrekte dhe në përputhje me konventat. Ka qenë madje shumë më e butë se rezoluta e tanishme. Me sa e dëgjova, tani thuhet që raportohet një herë në vit në Parlament. Rezoluta e atëhershme nuk e ka pasur këtë pikë. Në tërësi si material kjo rezolutë është më e plotë. PD, meqë e ka pasur partinë çame në koalicion, duhet ta kishte kaluar dhe miratuar rezolutën. Por duket se ua hodhi Rama me rezolutën alternative që paraqiti dhe meqenëse u paraqit ky draft, PD u kujtua se në vitin 2004 paska një rezolutë që qenka miratuar. Unë kam frikë se këto janë sebepe që të mos e votojnë rezolutën.
Cili ka qenë reagimi i komunitetit çam në atë kohë ndaj jush?
Kam pasur shumë reagime. Më kanë marrë çamë nga Vlora, bile ka qenë dhe Dash Tahiri që tani është deputet. Më kanë marrë çamët e Fierit dhe më propozuan që të kandidoj prapë se do të më mbulonin shpenzimet e fushatës, gjë që s’kishte si të ndodhte. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte një nga Shkodra që më ka sjellë dy materiale. Një që kishte të bënte me andartët grekë që masakruan popullsinë çame në vitet 1913-1914-1915 i një Kristo Papa, që paraqet të gjithë masakrat ndaj çamëve me emrat e njerëzve që janë masakruar dhe të fëmijëve. Dhe një tjetër libër, për Këshillin Nacional-Çlirimtar të Çamëve që kanë çuar dhe në vitin 1946 një material në OKB për çështjen çame. Pra, po ta shikosh menjëherë pas lufte, çështja çame është ngritur dhe këta ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Këta ishin udhëheqës të komunitetit çam që më pas patën dhe një fat jo të mirë nga periudha e komunizmit.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›