Brosnan: Dua të sjell Godonë në ekran
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shijoja kaq shumë bukuri”, thotë Peirce Brosnan, ndërsa nga tarraca e një prej vilave më të bukura të Sorrentos (Itali), admiron ngjyrat e ndezura të detit, kapriçiot e bregut, panoramën e Napolit të dominuar nga Vezuvi.
Është kjo shtëpia ku po banon për xhirimet e “All you need is love”, filmi i regjisores Sussane Bier. Filmi do të xhirohet në Danimarkë, Suedi, Itali dhe Brosnan aty interpreton Philip, pronarin e një industrie perimesh me qendër në Kopenhagë, që në Sorrento ka në pronësi një vile në një sipërfaqe shumë të madhe toke të mbjellë me limona, ku rikthehet pas shumë viteve, sepse këtu djali i tij Patrick ka vendosur të martohet me Astrid. “Lexova skenarin në shkurt dhe pranova menjëherë.
Mendoja se do të xhironim një film ‘të vogël’ e jo shumë të shtrenjtë, pastaj kur pashë fotot e vilës që kishin marrë me qira për mua, mbeta pa fjalë. Është një vend fantastik”, tregon Brosnan.
Është e vërtetë që Susanne Bier e ka shkruar personazhin e Philip-it duke ju menduar juve?
Pierce Brosnan: Po. Ndoshta e dinte historinë time personale, e dinte që mund të ngjaja me Philip. Është një burrë i pasur, i vetmuar nga vdekja e së shoqes, që ndihet i tradhtuar nga jeta, i hidhëruar, i zemëruar, ndaj i përkushtohet vetëm punës. Është një gjendje shpirtërore që e njoh mirë. Ajo që e zgjoi ishte takimi me Idën, nënën e Astrid-it, parukere, një grua që vuan, por që vazhdon të dojë jetën pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht kimioterapisë së cilës i nënshtrohet për shkak të kancerit të gjirit, e njëjta sëmundje nga vdiq gruaja ime, dhe zbulimi që burri e tradhton. Duket një histori dramatike, por filmi është plot dyshime, argëtim, komedi dhe romanticizëm.
Philip në film është baba, edhe ju jeni baba...
Pierce Brosnan: Philip nuk është një baba i mirë, qëndron larg të birit. Nuk e njeh, dhe nuk është i lumtur. Unë nuk jam kështu. Përpiqem t’u qëndroj pranë fëmijëve të mi sa më shumë të jetë e mundur, më mungojnë kur jam larg dhe unë u mungoj atyre. Edhe pse nuk kam pasur baba, pasi u largua nga shtëpia kur isha shumë i vogël dhe është një nga turbullirat që jeta më ka rezervuar. Si kompensim kam një lidhje shumë të fortë me nënën time.
Ju keni lindur në një fshat irlandez dhe keni studiuar në Londër. Përse jetoni në Malibu?
Pierce Brosnan: Kam ardhur në Amerikë 30 vjet më parë, dhe Amerikës i detyrohem gjithçka. James Bond-i i parë m’u ofrua falë popullaritetit të serive televizive që kisha interpretuar në Amerikë. Gjithsesi lidhja me “rrënjët” është e fortë. Unë shkoj shumë shpesh në Belfast, ku jam pjesë e një shoqate bamirësie që i ndihmon të rinjtë të bëjnë kinema. Kam edhe një shtëpi në Uimbëlldon, në Londër, ku shkoj shpesh të takoj fëmijët e mi më të mëdhenj.
Me Polanskin ke interpretuar rolin e Tony Blair.
Pierce Brosnan: Thuajse. Të punoje me Roman ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, është një nga mjeshtërit më të mëdhenj dhe me të duket gjithçka e lehtë. Kemi kaluar orë të tëra duke folur për shumë gjëra, por jo për kinemanë. Kur e pyeta nëse te filmi “Njeriu në hije” do të isha Tony Blair, m’u përgjigj: “Jo, interpreto Kryeministrin tënd, një burrë të izoluar që urren botën”. Pastaj u bë identifikimi dhe për Blair nuk besoj se ka qenë ndonjë kënaqësi e madhe. Por ai kurrë nuk reagoi keq, dhe tregoi një sens të madh humori.
Është e vërtetë që ju dini të luani me zjarrin?
Pierce Brosnan: Po, shumë e vërtetë. Ndërsa studioja në Londër punoja në një cirk, ku mësova të “luaja” zjarrin. Ju siguroj që nuk është e vështirë. Tani performoj vetëm për fëmijët. Ata argëtohen shumë, por qeshin më shumë kur më shohin të këndoj dhe kërcej te “Mamma mia”. Thonë që jam një katastrofë e vërtetë dhe kanë të drejtë. Nuk bëj për të luajtur në muzikal dhe më zë frika kur e kujtoj. Për fat edhe Stellan Skarsgard dhe Colin Firth ishin të terrorizuar si unë. U bëmë miq shumë shpejt.
Kur e zbulove dëshirën për t’u bërë aktor?
Pierce Brosnan: Do ju duket e çuditshme, por filmi i parë që kam parë ka qenë “Goldfinger”. Aty Sean Connery më ka entuziazmuar. Pastaj kam parë Brando. Montgomery Clift, Clint Eastwood. Kjo ishte detyra ime. Ndaj shkova në Amerikë dhe pata shumë fat. Suksesi më pëlqen, por karriera është një sfidë konstante, nuk duhet të kënaqesh dhe as të humbasësh një pjesë të pasigurive.
Planet tuaja për të ardhmen?
Pierce Brosnan: Asgjë nuk është vendosur. Lexova së fundmi “Duke pritur Godonë” dhe do më pëlqente ta bëja një version për kinema e jo për teatër. Për momentin planet e mia nuk i përkasin as teatrit, që është shumë përsëritës dhe as regjisë, shumë e lodhshme. Përveç kinemasë dhe profesionit të babait, pasioni im i vetëm është të shkruaj. Nuk do ta përjashtoja mundësinë e rrugës së shkrimit. Më duket se herët apo vonë do të ndodhë.