Bruceloza, analizat konfirmojnë sukses të fushatës së vaksinimit

Pothuajse në të gjitha vendin ka nisur faza e dytë e Fushatës Kombëtare të Vaksinimit kundër brucelozës, që është marrja e kampioneve të gjakut te bagëtitë e imta që janë vaksinuar. Profesorë të Fakultetit të Veterinarisë, ekspertë të projektit PAZA dhe të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare kanë vizituat ferma të ndryshme në vend, ku dhe kanë marrë kampione gjaku të cilat nëpërmjet mjeteve që plotësojnë kushtet frigoriferike dhe sanitare transportohen për në laborator. Gjatë kësaj jave grupet e kontrollit kanë qenë në zonën e Dibrës ku kanë vizituar ferma të ndryshme. Eksperti i jashtëm i Projektit PAZA, profesori Xhelil Koleci thotë se kjo fazë është shumë e rëndësishme dhe e cilëson si mbylljen e punës në terren. Edhe drejtuesit lokalë të Shërbimit Veterinar në Dibër e cilësojnë fushatën e vaksinimit si shumë të efektshme.
"Ne kontrollojmë zbatimin e të gjithë hallkave të procesit të monitorimit, i cili është shumë i rëndësishëm. Njëra anë është të bëhet vaksinimi, tjetra është të shikohet efikasiteti. Me anë të këtij monitorimi, duke qenë se të gjitha kampionet grumbullohen dhe dërgohen në laboratorin ne referencës, që është në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare përcaktojmë shkallën e mbrojtjes, ose të efikasitetit të vaksinës", - tha Xhelil Koleci, profesor në Fakultetin e Veterinarisë që punon si ekspert pavarur për Projektin PAZA.
Ndërkohë, vaksinimi është vlerësuar maksimalisht dhe nga strukturat lokale të Dibrës. Ata thonë se të gjithë fermerët janë interesuar për të siguruar shëndetin e kafshëve dhe të familjeve nga vaksinimi që është bërë falas.
"Është hera e parë, ku përveçse është një fushatë masive e vaksinimit, një ndër pikat thelbësore ka qenë zinxhiri ftohës. U siguruan të gjitha mjetet materiale, kutitë ftohëse dhe vaksina ëhstë3 mbajtur gjatë gjithë kohës në temperatura optimale, 2 deri në 8 gradë celsusis. Kjo ka bërë që suksesi i vaksinimit të jetë garantuar, shëndeti i bagëtive të vijë në përmirësim dhe për rrjedhojë dhe shëndeti publik të rritet", - tha Basri Bushi, përgjegjës i Shërbimit Veterinar në Qarkun e Dibrës.
Ashtu si në fazën e vaksinimit të bagëtive edhe gjatë marrjes së kampionëve të gjakut ekspertët e projektit PAZA që kanë kryer dhe monitoruar të gjithë procesin, mbikëqyrin plotësimin e të gjithë kritereve teknike. Kampionët e marrë nga delet dhe dhitë dërgohen në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ku kryhen analizat.Rezultatet paraprake të analizave kanë treguar se vaksina ka patur një efektshmëri të lartë mbrojtëse.
"Arsyeja e kryerjes së këtij monitorimi post vaksinal është të tregojë zbatimin korrekt të vaksinimit nga veterinerët në terren. Deri më tani është kryer rreth 80 % e punës së parashikuar, domethënë të krerëve të parashikuar për tu monitoruar dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme", tha Arla Juma, shefe e Laboratorit të Virologjisë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.
Fushata Kombëtare e Vaksinimit "Një pikë në sy" implementohet nga PAZA dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare, konkretisht me rreth 5.7 milionë euro dhe 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit. në këtë nismë kombëtare u angazhuan 750 veterinerë në të gjithë vendin. Rreth 2.5 milionë krerë dhi dhe dele u vaksinuan përgjatë këtyre ditëve dhe në mbyllje të këtij procesi madhor kombëtar synohet pasja në kontroll të plotë e shëndetit të kafshëve dhe i rreth 85 mijë fermerëve dhe personave që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bagëtitë.