E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruceloza, konfirmohen dy raste të reja

Fushë-Bulqizë, ende nuk është gjetur vatra e infeksionit. Asnjë plan konkret nga sektori i bujqësisë
Dy raste të reja pacientësh, të dyshuara për brucelozë në Komunën e Fushë-Bulqizës, janë evidentuar dje në spitalin e Bulqizës. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesja e sektorit të higjienës dhe epidemiologjisë pranë këtij spitali.

Ndihmës epidemiologu i Drejtorisë së Higjienës, Arian çela, konfirmoi për “Shqip” se janë edhe dy raste të tjera të dyshuara me sëmundjen e brucelozës. Kështu, pas rastit të prekjes me sëmundjen e brucelozës të veterinerit të kësaj zone, Rrahman Alliu, një muaj më parë, bashkë me dy rastet e tjera të evidentuara ditën e djeshme nga sektori i epidemiologjisë, numri i të infektuarve shkon në tre vetëm në këtë zonë.

Vatra e infeksionit

Komuna e Fushë-Bulqizës njihet si një ndër zonat “e nxehta” të shfaqjes së kësaj sëmundjeje, pasi edhe gjatë vitit të kaluar ajo ka qenë vatër infeksioni me rrezikshmëri të lartë. Sipas ndihmësepidemiologut çela, për herë të parë sëmundja e brucelozës në Rrethin e Bulqizës është shfaqur në vitin 2005, vatra e së cilës ka qenë fshati Valikardhë në Komunën e Zerqanit. Asokohe të paktën 10 familje përfunduan në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Nga ky vit pothuajse asnjë zonë e këtij rrethi nuk ka shpëtuar nga sëmundja. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, sipas specialistit numërohen gjithsej gjashtë raste pacientësh të prekur. Nga këta, tre raste në Komunën Fushë-Bulqizë, dy raste në fshatin Zogje të Komunës Shupenzë, si dhe një rast në Komunën e Ostrenit. Frika që ka mbërthyer banorët e Fushë-Bulqizës nga sëmundja vazhdon të mbetet evidente, pasi deri më tani nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë ende nuk është përcaktuar vatra e saktë e infeksionit që nga koha e shfaqjes së saj më 10.05.2010, kur u prek veterineri i zonës.

Sektori i bujqësisë

Ndërkohë, sipas specialistit të higjienës, Arian çela, është Drejtoria e Bujqësisë që duhet të gjurmojë sëmundjen dhe të marrë masa për parandalimin e saj.

Deri tani, higjiena shpjegon se nuk ka të dhëna për marrjen e masave apo një plani konkret në këtë drejtim. Gjithsesi, sëmundja e rrezikshme infektive e brucelozës, me spektrin e përhapjes së saj pothuajse në të gjitha zonat e Rrethit të Bulqizës, po bëhet gjithnjë e më e frikshme për banorët e këtij rrethi.

Bruceloza është një sëmundje që është shfaqur në vendin tonë pas viteve ‘90, por nga viti në vit po rrit numrin e të prekurve. Shkaktari kryesor i saj janë bagëtitë, sidomos ato të imtat, ku futen dhentë dhe dhitë.

Kjo sëmundje në Shqipëri njihet me dy emra: brucelozë dhe militencë, që është një sëmundje infektive. Mund të kalojë shumë shpejt nga njëra kafshë e infektuar te tjetra. Deri më sot njihen katër specie patogjene të brucelave.

Sëmundja e brucelozës është një nga sëmundjet që transmetohen shumë thjeshtë te njerëzit, por që kërkon shumë kohë për t’u kuruar. Njerëzit infektohen me rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar, si dhe produktet e tij.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›