E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Zgjedhjet në PS, mundësia për korrigjimin e gabimeve të së shkuarës

Intervista Flet deputeti i Partisë Socialiste dhe, anëtari i Kryesisë: Të krijohet një ambjent bashkëpunues brenda partisë

Deri në momentin kur transparenca e zgjedhjeve nuk do të realizohet konkretisht, atëherë edhe aksioni i PS-së, përmes grevës së urisë, mund të quhet i papërmbushur tërësisht. Në cilësinë e deputetit të saj, anëtarit të Kryesisë, por edhe si një pjesëmarrës në grevën 19-ditore, Arben Malaj përcjell në intervistën për gazetën “Shqip” disa vlerësime të përmbledhura për aktualitetin politik në vend. Duke u përqendruar te raporti i opozitës me përgjegjësinë e saj ndaj vendit, ai ka nënvizuar se moskoordinimi i veprimeve politike ka sjellë një situatë ku aksionet opozitare nuk maksimalizojnë realizimin e qëllimeve. Në këtë kuadër, problem mbetet edhe situata e brendshme në selinë rozë, që sipas Malajt, me zgjedhjet e pjesshme që po zhvillohen për disa njësi vendore, apo për konstituimin e strukturave të rretheve, kanë një shans për të korrigjuar shumëçka. Një shans që gjithsesi ende nuk po shfaqet dhe që në perspektivë do të japë ndikimin e vet sidomos në zgjedhjet e afërta lokale.

Nga kjo distancë kohore prej disa javësh, si do ta gjykonit aksionin politik të PS-së për transparencën e zgjedhjeve? A i arriti qëllimet greva e urisë?

Greva arriti sensibilizimin e opinionit publik dhe politik në Tiranë dhe Bruksel; tani nuk diskutohet më nëse jemi në krizë apo nëse është e domosdoshme një zgjidhje e krizës politike, por pse po vonohet zgjidhja. Për aq kohë sa nuk po arrihet një zgjidhje për transparencën e zgjedhjeve, qëllimi i grevës është jo plotësisht i përmbushur.

Së fundmi, ballafaqimi për krizën politike është përqendruar te kostoja e mundshme në integrimin e vendit. A mendoni se opozita ka pjesën e vet të përgjegjësisë në krijimin e kësaj situate dhe cilat janë këto?

Në politikë ka edhe raste kur mund të mos jesh fajtor për ngjarje të caktuara politike, por mund të jesh bashkëpërgjegjës. E kam fjalën për ambientin e përgjithshëm politik. Partia Socialiste publikisht e ka mbështetur integrimin e vendit, ka ndërprerë bojkotin për të marrë pjesë në Parlament për të miratuar rezolutat që iu kërkonin institucioneve të Brukselit, të mbështesin vendin në liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat. Qëndrimet tona janë publike. Fushata e ditëve të fundit e qeverisë, sipas së cilës PS është e angazhuar të pengojë liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit është shumë shqetësuese. Kjo mazhorancë ka kohë që dështimet e saj kërkon t’i mbulojë me fushatën denigruese ndaj opozitës. Kjo filozofi e mban të ndarë, të tensionuar dhe joproduktiv ambientin politik të vendit. PS ka përgjegjësinë për cilësinë e reformave që kryhen në vend, reformat kushtetuese dhe zgjedhore, sidomos kur këto reforma të mbështetura edhe nga PS rezultojnë se e kanë dëmtuar funksionimin demokratik të forcave politike dhe të institucioneve kushtetuese të vendit. Disa elementë të këtyre reformave janë bërë jo në funksion të përmirësimit të demokracisë në vend, por në funksion të rritjes së pushtetit personal në mandatet e ardhshme partiake apo qeveritare. Kjo tendencë shfaqet herë pas here edhe tani; pasojat janë të rënda ndaj nuk duhen toleruar, qoftë edhe duke rritur debatin publik edhe brenda vetë PS-së.

PS i është rikthyer jetës parlamentare, duke hequr dorë nga bojkoti dhe lëvizjet e rrugës. A përbën ky rikthim një dëshmi për inefikasitetin e aksioneve jashtë institucionale? Gjykoni se një rikthim në protesta është aktualisht i palogjikshëm si aksion?

Në respekt të përgjegjësisë ndaj forcës politike dhe ndaj vendit tim kam debatuar edhe publikisht, që PS duhet të zhvillonte një aktivitet parlamentar të plotë dhe të mirëfokusuar. Kjo nuk i përjashtonte protestat dhe çdo veprim politik që kërkon të përmirësojë transparencën e votave dhe për të cilën protestonin me qindra mijëra shqiptarë. Mosharmonizimi i tyre, kushtëzimi i kërkesave me braktisje të aktivitetit parlamentar, moskonfigurimi për gati një vit i përfaqësimit politik në Parlament, mospjesëmarrja në të, një fokusim dhe shpresë e tepruar te protestat, e kanë penguar PS dhe opozitën të fitonte avantazhin publik dhe ta përdorte këtë mbështetje në riorganizimin e saj.

Z. Malaj, prej disa javësh PS ka rimarrë si argument të opozitarizmit problemet ekonomike të vendit. Jemi si të thuash në një fazë kur opozita denoncon raste apo edhe politika të caktuara të qeverisë. A po punohet për një program alternativ masash, apo do të shohim serish një PS që, sikurse në 2009, mjaftohet vetëm me kritikë, pa ofruar një projekt të vetin?

Para pak ditësh, Kryeministri anglez paraqiti një program shumë konkret dhe konciz të hapave të domosdoshëm që duhen marrë në mënyrë që vendi i tij të dalë nga kriza. Nuk po ndalem në elementet e reformës edhe për faktin që flasim për dy ekonomi të ndryshme dhe për reforma strukturore specifike. Më bëri përshtypje diçka që mund të jetë e përbashkët; mesazhi i qartë dhe i fortë publik që Kryeministri anglez theksonte në këtë fjalim. Mendoj se ia vlen të nënvizohet: “Krizat e një vendi duhet të jenë moment i bashkimit të faktorëve politikë të vendit...krizat duhet ta bëjnë një vend më unik”.

Problem i parë kritik në vendin tonë është acarimi politik; debatet a jemi apo jo në krizë, debatet a duhet paketa antikrizë dhe cilët do të ishin elementët kryesorë të saj, po zhvillohen në një ambient gjithnjë e më të rënduar politik. Këtu ka impaktin e saj negativ edhe kriza politike. PS ka argumentuar publikisht domosdoshmërinë e një pakete antikrizë, kemi qartësuar momentet e rëndësishme të politikave të taksave dhe buxhetit për të ndalur përkeqësimin e financave publike të vendit tonë, pa dëmtuar faktorët e rritjes së saj. Kemi kërkuar publikisht që të krijojmë edhe një ekip ekspertësh joqeveritarë dhe jopartiakë të cilët do të analizojnë gjendjen konkrete dhe të përgatisin një plan kombëtar antikrizë, mundësisht i detyrueshëm për të gjitha forcat politike. Debati i opozitës për krizën, për ndryshimet për buxhetin e vitit 2010 dhe për paketën antikrizë shpresoj do të jetë i qartë dhe profesional. Në ekonomi po merr gjithnjë e më shumë rëndësi edhe faktori psikologjik, besimi i votuesve ndaj qeverisë, konfidenca e tyre ndaj politikave ekonomike dhe ndaj pritjeve të ardhshme për punësim, të ardhura, kursime apo investime. çdo paketë ekonomike që prezantohet në një situatë të rënduar politike dhe në një ambient ku besimi ndaj politikës bie ndjeshëm dhe ku besimi dhe pritmëria për të ardhmen përkeqësohen, ka probabilitet shumë të vogël të prodhojë efekte pozitive jo vetëm gjatë një krize.

Aktualisht në PS po zhvillohen zgjedhjet e brendshme për degët dhe strukturat e reja. Si po ecën ky proces dhe mendoni se po veprohet në frymë korrektuese ndaj atyre problemeve që ju si LMN i keni ngritur shpesh? A shihni një prirje pajtuese apo riintegruese?

Zgjedhjet pjesore në PS janë momenti më i mirë politik për të krijuar një ambient sa më bashkëpunues, duke lehtësuar dhe nxitur konkurrimet në çdo strukturë të saj. N.q.s do të ndodhë e kundërta, n.q.s do të fitojnë terren mentaliteti emërues ndaj atij konkurrues, n.q.s do të mbisundojë preferenca personale në vend të vlerave dhe përkushtimit të kandidateve, n.q.s zgjedhjet nuk do të përdoren për të korrigjuar problemet e së shkuarës në organizimin dhe funksionimin e PS, por për të konsoliduar parcelizimin e saj sipas preferencave personale apo për t’i keqpërdorur këto grupime në zhvillimet e ardhshme politike, për interesa të ngushta të disa individëve, atëherë i gjithë ky proces do të krijonte vështirësi të reja në PS. çdo fitore personale apo rritje e influencës së drejtpërdrejtë apo indirekte në çdo nivel të partisë nëpërmjet deformimit apo bllokimit të proceseve konkurruese, duke keqpërdorur mandatet politike apo qeverisëse që PS u ka besuar, mendoj se do të krijonte një situatë gjithnjë e më pak të suksesshme. Deri tani, akoma nuk ka shenja të qarta dhe veprime konkrete për një frymë bashkëpunuese. Forume të rëndësishme të PS janë inefektive, votimi për përzgjedhjen e kandidaturave përfaqësuese të PS tentohet të minimizohet, imponimi i përzgjedhjeve individuale në nivel vendor dhe qendror tenton të kthehet në një fenomen tipik dhe i pranuar mundësisht nga të gjithë. Ka akoma shumë kohë deri në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare që të ndihet përgjegjësia dhe të përmirësohen rrënjësisht jo thjesht rregullat apo zbatimi i tyre, por ndenja e përgjegjësisë ndaj PS dhe detyrimi ndaj vendit, që forca më e madhe e opozitës, të jetë efektive, të jetë e suksesshme dhe të rritet duke fituar garat politike dhe elektorale.

Mendoni se me këtë klimë dhe me këtë situatë, PS i fiton zgjedhjet lokale, apo ka nevojë që ajo të rishikojë aleancat e veta dhe kursin politik?

Ka akoma shumë kohë, ka akoma shumë mundësi, që PS të riorganizohet dhe funksionojë nën përgjegjësinë e fitores. Mundësitë për fitore janë shumë të mira, ato mund të dëmtohen nga zhvillimet e brendshme në PS, mund të dëmtohen apo mund të bëhen më të mëdha nga përgjegjësia e përzgjedhjes së kandidatëve tanë, por sidomos nga ambienti i përgjithshëm në PS. N.q.s optimizmi për fitore do të rrisë klientelizmin politik të të mandatuarve të saj në çdo përfaqësim politik dhe sidomos në të përzgjedhurit për kandidate në komuna dhe bashki, n.q.s nuk do të respektohen njësitë vendore në vlerësimin përzgjedhës, n.q.s do të synohet të imponohen kandidaturat në strukturat partiake në rrethe dhe kandidaturat për kryetarë komunash dhe bashkish, ne i pakësojmë shanset reale të fitores sonë. PS, në çdo nivel të saj organizativ dhe në çdo nivel të përfaqësimit të saj politik duhet të funksionojë si një ekip me objektiva dhe përgjegjësi të përbashkët përballë anëtarëve dhe votuesve të saj, përballë sfidave ekonomike dhe integruese të vendit. Cilësia e ekipit politik dhe ekipit qeverisës në nivel vendor dhe qendror do të ndikojnë ndjeshëm në garat tona elektorale dhe në cilësinë qeverisëse.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›