E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, Athina sot në llogaridhënien e parë në Bruksel

Kriza Aprovimi i masave, shumë i rëndësishëm për Papandreun

Ministrat e Financës së Eurozonës janë takuar dje në Bruksel për të diskutuar paketën e ndihmës që mund t’i jepet Greqisë së rënduar nga pesha e deficitit buxhetor. Ndërkaq Athina po përgatitet për testin e parë para zyrtarëve të Bashkimit Europian në lidhje me efektshmërinë e politikave të saj të reduktimit të deficitit buxhetor. Sot, pritet vlerësimi i përpjekjeve të deritanishme të qeverisë greke, dy javë pas paraqitjes së programit të shtrëngimit të shpenzimeve nga qeveria e majtë e Papandreut. Kjo ishte edhe paketa me masa më të rrepta e paraqitur nga një qeveri greke që pas Luftës së Dytë Botërore dhe që pritet të ketë ndikim shumë të madh në ekonominë vendase. Nëse Brukseli do të jepte miratimin e tij për masat, atëherë situata do të lehtësohej pak dhe Athina do të fitonte diçka nga besueshmëria tashmë e humbur. Një natë më parë, në Bruksel, Olli Rehn, komisioneri për Ekonominë, tha se ishte i gatshëm që të paraqiste një program asistence dhe ndihme të koordinuar dhe të kontrolluar. Ai tha se Eurozona ishte duke i marrë në konsideratë të gjitha mënyrat e shpëtimit të Greqisë, në mënyrë që të siguronte edhe sigurinë e vetë monedhës, e cila është ndodhur në presionin më të madh që nga krijimi i saj. Grupi thuhet, edhe pse asgjë nuk është zyrtare, se po përgatit një paketë prej 25 miliardë eurosh për Athinën, e cila ka nevojë jetike kryesisht për të mbajtur në një gjendje të pranueshme ekonominë. Masat e marra nga qeveria ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit dhe ky vit parashikohet si shumë i vështirë. Prioriteti më i madh për Papandreun aktualisht është reduktimi në maksimum i kostos së huamarrjes.

Për sa i përket komisionerit Rehn, ai tha se priste që Europa të përkrahte masat e marra këto dy javë nga Greqia, në mënyrë që ajo të vazhdojë me vënien në jetë të tyre në muajt në vijim. Por ndërkaq, zyrtarët e Brukselit, thonë se “beteja është shumë larg fundit”. Kjo sepse plani i marrë nga Papandreu pritet që ta zhysë Greqinë në recesion për herë të parë në këto 16 vjet. Sipas analizave të Bankës së Greqisë, ekonomia këtë vit do të reduktohet me 2%.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›