Bruksel: BE premton 789 milion dollarë ndihma për Kosovën
Bashkimi Europian premtoi 789 milion dollarë ndihma për Kosovën në Konferencën e donatorëve që po mbahet në Bruksel.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn tha se Bashkimi Europian është i përkushtuar për të plotësuar nevojat e Kosovës, të cilën ai e quajti një çështje "thellësisht" europiane.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, Henrieta For, tha se Shtetet e Bashkuara do të japin 400 milion dollarë.
Bashkimi Europian shpreson të grumbullojë një shumë të përgjithshme prej 1,6 miliard dollarësh nga vendet donatore për të ndihmuar Kosovën të kapërcejë problemet ekonomike dhe papunësinë e lartë që arrin në rreth 40 përqind.
Zyrtarët amerikanë dhe europianë shpresojnë që përmirësimi i infrastrukturës në Kosovë të ndihmojë që ajo të tërheqë investitorë të huaj.
Serbia dhe aleatja e saj tradicionale Rusia e kanë bllokuar mundësinë që Kosova të marrë ndihma nga organizata të tilla si Kombet e Bashkuara.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova kishte paraqitur dje kërkesën për t'u bërë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Anëtare të Bankës Botërore mund të bëhen vetëm vendet sovrane dhe anëtarësimi në këto institucione do t'i jepte një shtytje të re njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
Zoti Thaçi ritheksoi
gjithashtu synimin afatgjatë të Kosovës për t'u anëtarësuar në NATO dhe në
Bashkimin Europian. //ii