Berisha, pronar i bregdetit shqiptar

VLORË - Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës i ka bërë dje një thirrje revolte përmes një letre të hapur kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për të hequr dorë nga tentativa për të shitur rërën e plazheve të Vlorës për plazhet e Pulias në Itali. “Ka pasuri të nëntokës që janë shitur historikisht, dhe në vendin tonë ka prodhime të tokës që janë shitur e do të shiten vazhdimisht, por që të shesësh ose falësh vetë tokën për të huajt, siç keni bërë në rastin e bregdetit para ish-fabrikës së Sodës për “Petroliferën”, dhe siç keni ndërmend të bëni tani me rërën e virgjër të plazheve tona, kjo shkon shumë larg. Rëra është krijuar si e tillë në miliona vjet, ajo u vlen plazheve tona, po aq sa dhe atyre italiane”, thuhet në këtë letër. Sipas alencistëve, problemi dhe skandali i publikuar në shtypin ndërkombëtar, në gazetën “La Stampa” dhe “The Guardian”, për rërën në plazhet e Pulias, haset edhe në bregdetin tonë, i cili gjithashtu po vuan nga erozioni dhe përparimi i detit. “Në rast se turizmi sot tek ne është i prapambetur, ai pa dyshim nuk do të jetë i tillë në një qeverisje tjetër, ndryshe e shumë më të mirë se ky që përfaqësoni ju sot. Këto dy të vërteta ju heqin çdo të drejtë që të bëni tregti me rërën e bregdetin shqiptar, aq më pak me rërën e një gjiri me destinacion turistik, me ekuilibra aq të rrallë e të çmuar historikë, saç është ai i Vlorës”, deklarojnë përfaqësuesit e AMGJV-së. Sipas tyre, shqiptarët nuk janë ndonjë popull kolonish, që të lejojnë t’iu rrëmbehet para syve toka, ajri dhe uji i tyre, qoftë dhe me nënshkrime të një kryeministri, ministri Mjedisi a çfarëdo ministri tjetër qoftë, nënshkrime në fund të fundit të pavlerë. “Vërtet mendoni se vendosni ju për të ardhmen e këtij vendi, sipas pazareve të ditës që ofron aksh kompani ose filan qeveri e huaj?”, përfundon letra drejtuar kryeministrit, i cili së bashku me Fatos Nanon cilësohet si planifikuesit e veprave të naftës dhe atyre industriale në gjirin tonë.