Vetëvaret adoleshenti, me këmbë në varr tre persona

Një 16-vjeçar u gjet i vetëvarur mëngjesin e djeshëm, ndërsa tre të tjerë po luftojnë me jetën, pas tentativës së tyre për t’u vetëflijuar me koktej, fostoksinë apo alkool. Alban Dyrmishi, 16 vjeç, ishte duke punuar në arë me të atin, por ka mjaftuar një qortim i çastit në punë, që ai të “hakmerret” me vendimin tragjik. Familja Dyrmyshi e ka origjinën nga fshati, por aktualisht banon në Gramsh. Atë e bir kishin shkuar për t’u kujdesur për kulturat bujqësore dhe për të vaditur tokën. Gjatë punës, i ati e ka qortuar Albanin që të ishte më i përqendruar. Por i riu është prekur thellë në sedër dhe pasi ka qëlluar pompën e ujit me shkelm, është larguar në drejtim të shtëpisë. Babai ka menduar se djali thjesht është zemëruar. Por, pasi ka lënë punën dhe është afruar në shtëpi, ka gjetur të varur me litar në pemë të birin. Skena ka tronditur pa masë Rustem Dyrmishin, i cili i ka hequr lakun nga fyti të birit, por ai kishte ndërruar jetë me kohë. Ndërkaq, në rrugën Fier-Lushnjë, patrulla e policisë gjeti përtokë pa ndjenja Arta Gjikën, 34 vjeçe, banuese në fshatin Krutje. Ajo u transportua menjëherë në spital, ku sipas mjekëve mësohet se gruaja vuante nga depresioni. E ëma e saj, që mbërriti në spital me të marrë vesh lajmin, pohoi se e bija kishte pirë një koktej ilaçesh me 30 medikamente. Edhe Themie Shuli, 61 vjeçe, banuese në fshatin Rremas të rrethit, pas një zënke me familjarët, ka tentuar t’i japë fund jetës duke konsumuar tri kokrra fostoksinë. Aktualisht e moshuara ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Lushnjës, në terapi intensive. Ajo është dërguar me urgjencë mbrëmjen e së mërkurës në spital nga të afërmit e saj, të cilët nuk kanë ditur se çfarë kishte e moshuara, pasi kishin parë vetëm shenja të një intoksikimi. Më pas kanë mësuar nga mjekët, se shkak i kësaj gjendjeje ka qenë vetë e moshuara, e cila ka tentuar të vetëflijohet duke u helmuar me bar miu. Familjarët kanë bërë lidhjet e ngjarjes, duke deklaruar se kishin parë në tavolinën e dhomës së Themies një gotë uji të lënë përgjysmë, të cilës ata nuk i kishin kushtuar rëndësi. Si në spital, ashtu edhe përpara grupit hetimor, të afërmit u shprehën se 61-vjeçarja prej kohësh ka pasur luhatje të shëndetit mendor, madje ishte shprehur edhe se dëshironte të vdiste. Por vetëm një orë më pas, po në këtë spital, një tjetër person është paraqitur me shenjat e një helmimi të rëndë. Ka qenë 37-vjeçari R. K., banues në Kolonjë të rrethit Lushnjë, i cili kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli, që i kishte shkaktuar helmim të rëndë. Sipas mjekëve, nuk përjashtohet mundësia që pija të ketë pasur përqindje të lartë alkooli etilik, i cili mendohet të ketë shkaktuar edhe intoksikimin, por zyrtarisht mbetet si version i kësaj gjendjeje abuzimi me alkoolin nga ana e vetë pacientit. Ende nuk është zyrtarizuar versioni nëse ai dëshironte të vetëvritej apo jo.