E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Ndëshkime të rrepta

Ministri i Shëndetësisë shprehu vendosmërinë për të mbështetur hetimet dhe masat ligjore kundër çdo punonjësi dhe mjeku që abuzon me profesionin

TIRANË - Fenomeni i korrupsionit në sistemin shëndetësor ka nxitur ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndokën, që t’u tërheqë vëmendjen vartësve të tij, se kushdo që abuzon me detyrën do të ndëshkohet sipas ligjit. Duke marrë shkas nga arrestimi i kirurgut Kastriot Dautaj, ministri Ndoka përfitoi nga analiza 6-mujore e institucionit që ai drejton, për të lëshuar paralajmërime kërcënuese ndaj bluzave të bardha që shfrytëzojnë detyrën humane të mjekut, për t’u pasuruar në mënyrë të padrejtë. Në një takim me drejtorët e shëndetit publik dhe të spitaleve rajonale të të gjithë rretheve të vendit, Nard Ndoka tha se “rastet e denoncimit për abuzime të mjekëve rriten çdo ditë e më shumë dhe ju rikujtoj se profesioni i mjekut është human, ndaj si ministër jam i vendosur të mbështes hetime dhe masa ligjore kundër çdo punonjësi dhe mjeku që abuzon me profesionin dhe ligjin”. “Për mua, - shtoi Ndoka, - janë të papranueshme deklarime dhe pranime publike të fenomenit të dhuratave financiare apo ryshfeteve”. Sipas tij, asnjë zyrtar i shtetit, punonjës apo individ që pretendon të bëjë pjesë në elitën e shoqërisë, nuk mund të tolerohet në përpjekjet për të mbajtur gjallë mentalitetin e bakshishit. Për të rritur sensibilizimin e opinionit publik që të denoncojë këtë fenomen, ministri i Shëndetësisë bëri me dije, se institucioni që ai drejton ka iniciuar edhe një fushatë kundër korrupsionit. “Shumë shpejt do të ketë një spot televiziv për denoncimin e korrupsionit, ku çdo nismë apo veprim kundër këtyre akteve do të jetë i mirëpritur dhe vlerësues”, - përfundoi ministri Ndoka. Katër ditë më parë, blutë e kryeqytetit prangosën nën akuzën e korrupsionit kirurgun Kastriot Dautaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›