17-vjeçari e vrau për qejf

PEQIN - Identifikohet killeri 17-vjeçar i 60-vjeçarit të paidentifikuar, i cili u gjet i vrarë me plumb pas shpine në shinat e trenit në qytetin e Peqinit. Burime policore pohuan se “pas një pune hetimore nga agjentët e policisë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë, është arritur në përfundimin se një adoleshent 17-vjeçar, me inicialet E. Sh., është i dyshuari kryesor për vrasjen, tanimë në kërkim. Sipas bluve, janë dokumentuar provat ligjore për të implikuar E. Sh, i datëlindjes 19.02.1991, lindur e banues në lagjen “Çezma” në Peqin. Mendohet se adoleshenti që akuzohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, e ka vrarë kot së koti të panjohurin e moshuar. 17-vjeçari ishte shpallur në kërkim ekstra në 13 qershor të këtij viti, për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “drejtim automjeti në gjendje të dehur, pa dëshmi aftësie”. Policia po punon për kapjen e tij.