Ndjekje penale ish-drejtorit

BURREL - Prokuroria e Burrelit e ka apeluar në Gjykatën e Apelit Tiranë vendimin e Shkallës së Parë, sipas së cilës, Shyqyri Dushku, ish-drejtori i burgut të sigurisë së lartë në Burrel, që akuzohet se ka futur në qeli prostituta, të qëndronte në hetim të lirë dhe jo nën masën e sigurisë “arrest me burg”. “Vazhdojnë përpjekjet e Dushkut për t’u shfajësuar në lidhje futjen e vajzave të mitura në dhomat e të dënuarve. Ai nuk paraqet prova e dokumente konkrete, por në mënyrë verbale shprehet se akuzat janë të padrejta”, thonë burime informacioni, sipas së cilave Dushku ka thënë se arrestimi ka motive të tjera. Ndërkaq, uniforma blu bënë me dije, se paraqitja e ish-drejtorit në policinë e këtij rrethi ka lidhje me presionet e ushtruara ndaj tij. “Më kanë kërcënuar me jetë persona që unë nuk i njoh. Kam pasur disa telefonata anonime dhe kërkoj mbrojtjen e shtetit”, është shprehur Dushku në polici. Këto pohime janë marrë me shumë rezerva nga organi i akuzës, duke aluduar se ai justifikohet se është kërcënuar, me shpresë se ndjekja penale ndaj tij do të ndalet. Brenda një harku të shkurtër kohor janë larguar nga detyra tre ish-drejtorë: Hazis Duka, Shyqyri Dushku dhe Eduart Brahilika. Këto dy të fundit ndiqen penalisht nga organi i akuzës për shpërdorim detyre, së bashku me zyrtarë të tjerë.