Bruksel, Berisha: Kam marrë garanci të plota për një vlerësim të ndershëm për të gjithë problemin e vizave
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në punimet e Samitit të Partive Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Bruksel. Në këtë Samit, Kryeministri Berisha ka zhvilluar edhe një seri takimesh me kryeministra të qendrës së djathtë, Kancelaren Angela Merkel, Kryeministrin Silvio Berluskoni, Kryeministrin Fredrik Reinfeld, Kryeministrin Jean-Claude Juncker, etj. Temë kryesore e këtyre takimeve ka qenë liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë. “Në takimet e zhvilluara sot jam përqendruar fund e krye tek problemi numër një i shqiptarëve, liberalizimi i vizave. Kam marrë garanci të plota për një vlerësim të ndershëm për të gjithë problemin e vizave për Shqipërinë”, bëri të ditur Berisha rreth takimeve të tij me kryeministrat e vendeve të BE.