Bruksel, Konferencë për shtyp e Komisionerit Europian për Zgjerimin Olli Rehn dhe Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha
Kryeministri Berisha: Jemi të angazhuar të përmirësojmë klimën politike.
Zgjedhja e Presidentit konsensual është e mundshme dhe palët po afrohen në qëndrime.
Përsa i përket reformës zgjedhore, ne jemi gati të pranojmë çdo lloj sistemi që do të propozojë opozita. Nuk ka bazë më të mire se kjo për konsensus. Opozita le të sjellë propozimin e saj dhe ne do të votojmë pro tij.
Komisioneri Rehn: Shqipëria ka bërë tashmë progres të mirë në rrugën e integrimit që kur ka firmosur MSA-në, e cila është një kornizë solide për punën tonë të ardhshme dhe të cilën Shqipëria aktualisht po e vë në zbatim. Sigurisht përmbushja e angazhimeve të kësaj marrëveshjeje kërkon reforma të guximshme dhe natyrisht bashkëpunim të mirë ndërmjet partive politike. Dhe mbi të gjitha kërkon stabilitet politik. Për pasojë unë mirëpres iniciativën e kryeministrit Berisha për të mbajtur një tryezë të rrumbullakët për të gjetur konsensusin lidhur me kandidatin për President të Shqipërisë.
Pyetje per ceshtjen e Kosoves:
Kryeministri Berisha: Projektin e Presidentit Ahtisaari e kemi mbështetur plotësisht me bindjen e thellë se ky plan mund të bëhet një marrëveshje e vërtetë e paqes dhe stabilitetit jetëgjatë në Kosovë. Por paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë shumë të çmuara për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të Kosovës. Në këtë kuptim, ne nuk shohim asnjë alternativë përveçse projektit Ahtisari dhe sa më shpejt të votohet ky plan, aq më mirë do të jetë.
Komisioneri Olli Rehn: Ne vlerësojmë qasjen konstruktive të Shqipërisë në lidhje me procesin e statusit të Kosovës, pasi kjo është shumë e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Nga këndvështrimi europian kjo çështje është tashmë në duart e OKB-së dhe ne presim që Këshilli i Sigurimit të ushtrojë përgjegjësitë e veta dhe të marrë një vendim në formën e një rezolute të re, e cila do të shtrojë rrugën për një marrëveshje të qëndrueshme, pa vonesa të panevojshme. Ky është një test i vërtetë për multilateralizmin e përgjegjshëm dhe të efektshëm. Kam besim se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit do të përpiqen në maksimum për të arritur një rezolute të tillë.
Pyetje: Cfarë mendimi keni ju zoti Kryeminister dhe ju zoti Rehn për deklaratën e Nicolas Sarkozy se Turqia nuk do të hyjë në Bashkimin Europian?
Kryeministri Berisha: Pavarësisht se çfarë ka thënë Sarkozy për Turqinë, për Ballkanin Perëndimor, unë e kam dëgjuar disa herë të thotë, para se të zgjidhej President, se është për integrimin e plotë të këtij rajoni në Bashkimin Europian.
Komisioneri Olli Rehn: Sarkozy ka marrë përsipër reformën për Kushtetutën e re të Bashkimit Europian. Ne do të vazhdojmë negociatat me vendet që aspirojnë integrimin.