E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria do të dërgojë një kompani ushtarake shtesë në Afganistan

Qeveria shqiptare vendosi dërgimin e një kompanie shtesë të forcave ushtarake shqiptare në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Vendimi u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Kryeministri bëri të ditur se kjo njësi do të vendoset, nën komandën e njësive italiane, në Herat dhe ka detyra shumë të rëndësishme. "Eshtë prioriteti i parë absolut i NATO-s dhe ne do t'i përgjigjemi me të gjitha mundësitë tona kërkesave të Aleancës për të shtuar trupat. Në mbledhjen e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s është konstatuar se është e domosdoshme të shtohen trupat në Afganistan dhe ne i përgjigjemi me një kompani shtesë të trupave tona", tha Kryeministri.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme, miratoi marrëveshjen për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Forcave të Aleancës në Evropë (SHAPE) për sigurimin e mbështetjes së shtetit pritës për realizimin e stërvitjeve të bashkëpunimit, LONGBOW dhe LANCER 2007.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›