E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Prodi mirëpret ftesën e përcjellë nga Zv/kryeministri Oketa për të vizituar Shqipërinë

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa pati, në Romë, një takim me Kryeministrin italian, zotin Romano Prodi. Kryeministri Prodi mirëpriti ftesën e përcjellë nga zëvendëskryeministri Oketa për të vizituar së shpejti Shqipërinë.

Të dy autoritetet diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Zëvendëskryeministri Oketa ndodhet për një vizitë në Romë në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e rinisë së Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, me tematikë punësimi dhe tregu i punës.

Gjatë kësaj vizite, Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa pati gjithashtu një takim në Bashkinë e Novara-s me nënkryetaren e Bashkisë, znj. Silvana Moskateli dhe me kuestorin e Aleksandrisë, z. Mario Rosario Maldini.

Autoritetet lokale të këtyre qyteteve vlerësuan ndjeshmërinë e qeverisë shqiptare ndaj ngjarjes së javës së kaluar dhe shprehën bindjen se incidente të veçanta nuk mund të cënojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në bashkëbisedimin me autoritetet lokale të këtyre bashkive, Zëvendëskryeministri Oketa shprehu solidaritetin e plotë të qeverisë shqiptare për ngjarjen e ndodhur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›