E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e KRRTRSH-së

Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u zhvillua sot pasdite mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH). Në këtë mbledhje u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme si:
- vendimi për studimin urbanistik për objektin "Zonë industriale" me sipërfaqe 65 hektar në Koplik, Shkodër;
- vendimi për ndryshimin e destinacionit të Parkut Vlorë nga "Park industrial dhe Energjetik në "Park Industrial".

Fillimisht, në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

"Ministria e Punëve Publike, në periudhën e ndërrimit të drejtuesve ka pasur një vonesë në mbledhjet e KRRTRSH-së dhe ne duhet të kompensojmë të gjitha vonesat e bëra dhe problemet e akumuluara. Ne duhet të punojmë për t'u dhënë përgjigje më shpejtësi kërkesave në rritje të bizneseve. Të gjitha kërkesat e investitorëve duhet të shihen me përparësi dhe nuk duhet të ketë vonesa për projektet industriale, turistike, qendrat e ndërtimit, etj.. Në rast se përgjigjia zyrtare është e përcaktuar në një afat maksimal 3 javor, të mos përdoren klauzola të cilat mundësojnë shtyrje, por, përkundrazi, kjo të jetë e barasvlershme për të gjitha kërkesat. Dokumentacioni që paraqiten këtu duhet të mbartin në vetvete një paketë të tërë lejesh, kërkesash, dokumentesh, por ministria duhet të krijojë të gjitha mekanizmat e nevojshme që kërkesat e biznesit të ecin me shpejtësi maksimale.

Tashmë është fakt që në KRRTRSH kanë ardhur dhe po vijnë projekte të mëdha, por ministria e Punëve Publike, së bashku me ministrinë e Brendshme, duhet të ndjekë dhe të garantojë që edhe Këshillat e Rregullimit të Territorit t'u përgjigjen me të njëjtën shpejtësi këtyre çështjeve. Disa komuna kanë projekte deri në 3 miliardë euro, sipas parashikimeve të tyre, por duke ecur me ritme të zakonshme, atyre do t'u duhet një sagë e gjatë vuajtjesh për të dalë nga duart e Këshillave të Rregullimit të Territorit. Natyrisht, Këshillat duhet të konsultohen, duhet të shprehen e të marrin vendimin, por duhet bashkëpunim. E theksoj sërish se në ministri duhet të krijohen të gjithë mekanizmat e nevojshëm në mënyrë që t'u përgjigjemi me shpejtësinë më të madhe të mundshme projekteve të mëdha të investitorëve."

Lidhur me miratimin e studimit urbanistik për objektin "Zonë industriale" me sipërfaqe 65 hektar në Koplik, Shkodër, Kryeministri Berisha theksoi se një grup investitorësh italianë, pasi kanë bërë një seri vlerësimesh dhe rivlerësimesh të vendosjes së parkut industrial, kanë përzgjedhur këtë zonë afër Koplikut si më të përshtatshmen.

Toka është tokë publike dhe do të jepet në kuadrin e nismës ‘Një euro". Por krahas kësaj, do të shqyrtohet i gjithë kuadri ligjor i taksës lokale, i cili nuk duhet të përfshijë parqet industriale. Prandaj duhen bërë ndryshimet ligjore të përshtatshme, në mënyrë që të mund të lehtësohen dhe më shumë sjellja e investitorëve.

Lejet miratohen sot me kushtin që të bëhet transferimi i pronësisë, pronësi e cila realisht është në ministrinë e Ekonomisë. Prona është publike, kështu që leja e ndërtimit miratohet së bashku me sheshin e ndërtimit. Kjo leje do të dorëzohet konform rregullave, pasi ministria e Ekonomisë të ketë bërë transferimin e pronësisë pranë autoritetit të parkut industrial. Natyrisht, duhet të punohet së bashku me ministrinë e Punëve Publike që ky park të mos jetë buzë rrugës kryesore, por të jetë 50 metra distancë nga autostrada, në mënyrë që të mos krijohen probleme edhe me aksin rrugor".

Për vendimin e KRRTRSH-së për ndryshimin e destinacionit të Parkut të Vlorës nga "Park Industrial dhe energjetik" në "Park industrial", Kryeministri u shpreh:

"Përfaqësuesit e Lëvizjes qytetare të Vlorës janë protagonistë të një shqetësimi lidhur me çështjet e mjedisit. E vërteta është se ky vendim merret sot në përputhje me zotimin tonë dhe vendimin e prerë që në Vlorë të mos ketë park energjetik. Fakti është se objekte shumë të mëdha, ndër më të mëdhatë jo për Shqipërinë por edhe për rajonin, të parashikuara për t'u ngritur në këtë zonë si park energjetik, (TEC-e me fuqi 1200 megavat, një prej të cilëve 700 megavat. Janë deri në 3 TEC-e të serialit të Bankës Botërore me qeverinë shqiptare), të gjitha këto do spostohen nga Vlora dhe vendosen në zona të tjera.

Në Vlorë mbetet vetëm TEC-i prej 90 megavatesh, gjysma e kapacitetit të TEC-it të Fierit, si dhe depozitat e Petroliferas, të cilat janë strikt vetëm depozita dhe në mënyrë absolute nuk ka asnjë lloj impianti tjetër. Për dhuntinë e çuditshme, ndonjëherë është tendenca që më shpejt të besohet thashethemi sesa e vërteta. E vërteta është se marrëveshja me Petroliferën nuk ka asnjë nen ku flitet për impiant tjetër, përveç depozitave që janë jashtëzakonisht të nevojshëm për qytetin e Vlorës dhe për gjithë jugun e Shqipërisë. Ndërkohë që nuk mund të ndërtohen në Portin e Vlorës, pasi kushdo që e njeh atë port e ka shumë të qartë se aty nuk ka terren dhe nuk ka ku të ndërtohen depozitat. Kështu Vlora dhe gjithë jugu i vendit duhet të kenë depozita të naftës.

Kjo hapësirë e parashikuar për park energjetik dhe industrial do të mbetet strikt për park industrial. Dhoma e Tregtisë së Vlorës, bashkia e Vlorës duhet të bashkëpunojnë dhe të sjellin sa më shpejtë projektin për një park industrial, ashtu siç u paraqit sot projekti për zonën e Koplikut. Ky projekt i duhet shumë qytetit të Vlorës dhe shndërrohet në një gjenerator shumë të madh punësimi për këtë qytet dhe zonat përreth.

E ritheksoj se në këtë park industrial nuk do të ketë asnjë lloj industrie energjetike, por do të mundësohen vetëm manifaktura të llojeve të ndryshme. Janë autoritetet lokale dhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Vlorës që duhet të përcaktojnë destinacionin e parkut industrial të qytetit të tyre."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›