Komisioneri Olli Rehn vlerëson pozitivisht ecurinë e reformave në Shqipëri
Gjatë një takimi që pati sot, në Bruksel, me Kryeministrin Sali Berisha, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, zoti Olli Rehn vlerësoi rolin e moderuar dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Komisioneri Olli Rehn u shpreh se Bashkimi Europian është i kënaqur me ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Shqipëria, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ndërmjetme (Ad Interim).
Zoti Rehn vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe shprehu përkrahjen e Bashkimit Europian për vazhdimin e këtyre reformave. Ai siguroi se Bashkimi Europian mbështet të gjitha proceset për integrimin europian të vendit.
Kryeministri Berisha dhe Komisioneri Olli Rehn diskutuan edhe për zhvillimet politike në vend. Duke u ndalur në çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri, zoti Rehn u shpreh se partitë politike në Shqipëri duhet të rrisin dhe forcojnë bashkëpunimin mes tyre, në funksion të zgjedhjes së një Presidenti konsensual.
Kryeministri Berisha e njohu Komisionerin Olli Rehn me arritjet në fushën ekonomike, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj.
Në takim u diskutua edhe për çështje të zhvillimeve në rajon. Të dy personalitetet mbështetën propozimin e Presidentit Ahtisari për çështjen e Kosovës.