E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel: Peshkatarët "i vënë zjarrin" BE-së

Sheshi para ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel është shndërruar dje në një shesh "beteje" të vërtetë. Forcat e policisë janë përleshur me qindra peshkatarë, të cilët ishin bërë bashkë për të protestuar kundër çmimeve të larta të karburantit. Gjithçka ka filluar paqësisht, por më pas demonstrimi ka marrë përmasa me të vërtetë të mëdha, duke u shndërruar në një përplasje me pasoja. Në zonën përreth u është vënë flaka makinave, ndërkohë që janë thyer xhamat e disa zyrave të godinës së Komisionit Evropian. "Zjarrit" të protestuesve forcat e policisë iu përgjigjën me pompa uji. Peshkatarët e acaruar kanë bërë të ditur se nuk kanë ndërmend që t‘i rikthehen biznesit të tyre, derisa Bashkimi Evropian t‘i lejojë qeveritë e vendeve anëtare të organizatës të japin një ndihmë financiare për të subvencionuar çmimet e larta të karburanteve, të cilat e kanë futur gjithë biznesin në vështirësi, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e ato të mesme ndodhen në rrezik falimentimi. Peshkatarët francezë ndodhen në grevë që prej disa javësh, po për shkak të çmimit të karburantit, i cili gjatë 5 viteve të fundit është rritur në masën 240%. Ditët e fundit peshkatarëve u janë bashkuar edhe anëtarë të flotave detare nga Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia apo Italia, të cilët kanë bllokuar porte në shumë vende të Evropës. Gjithashtu, pjesë e protestave janë bërë edhe shoferët e kamionëve dhe të taksive në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Dje, peshkatarët, kryesisht të kombësisë italiane, apo franceze, paralizuan trafikun në rrugët kryesore të kryeqytetit belg. Ata kanë djegur edhe flamurin e Bashkimit Evropian dhe sende të tjera, duke shkaktuar kështu një rrëmujë të rrallë për kryeqytetin belg, që ka zgjatur për orë të tëra. Forcat e policisë u organizuan duke krijuar një gardh përreth një barrikade telash me gjemba në hyrjen kryesore të Komisionit Evropian. Në fillim të ditës, një delegacion i peshkatarëve të irrituar u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të cilëve tentuan që t‘u shpjegonin inatin dhe mllefin e tyre e njëherazi u kërkuan ndihmë konkrete dhe të shpejtë për të rivënë në punë bizneset e lëna përgjysmë e në prag të falimentimit. Në jug të Francës çmimi i benzinës që përdoret për mjetet e transportit detar u rrit me një të tretën e tij. "Karburantet janë shumë të shtrenjta. Dy vjet më parë, Franca nisi të vinte në veprim një paketë kompensimi financiar për peshkatarët, por shpejt e la përgjysmë, pasi Bashkimi Evropian nuk e lejoi më një gjë të tillë. Ne jemi mbledhur sot këtu që t‘u themi zyrtarëve evropianë që t‘i japin fund pengesës së tyre ndaj ndihmave që qeveria franceze kërkon të na japë", thotë një pjesëmarrës në protestë. Zyrtarët e Bashkimit Evropian ngulmojnë që çdo subvencion për çmimet e rritura të karburanteve do të ishte i paligjshëm, sipas legjislacionit të organizatës dhe nuk do të ishte një veprim i dobishëm në një periudhë afatgjatë. Sipas rregullave të BE-së, shkalla e Taksës së Vlerës së Shtuar nuk mund të jetë më pak se 15%. Shtetet anëtare të BE-së janë të lira që të ndryshojnë këtë taksë vetëm nën minimumin 15%. Për sa i përket zyrtarëve të BE-së, që kontaktuan grupin e grevistëve, ata nuk u premtuan atyre një ndihmë konkrete e për më tepër të shpejtë dhe kjo, mesa duket, i ka irrituar shumë protestuesit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›