"Portokalli", mbyll sezonin
Sezoni i radhës i spektaklit më të madh të humorit shqiptar "Portokalli", është mbyllur me një nga shfaqjet më spektakolare. Drejtuesit e spektaklit dhe stafi i aktorëve përcollën një falënderim për të ndjerin Dritan Hoxha, Presidentin e "Top Media"-s, produkti i të cilit është dhe "Portokalli". Edhe sezonin që sapo u mbyll, publikut iu ofruan një mori tipash e karakteresh të skalitura me mjeshtëri nga aktorët e njohur të spektaklit, ku një meritë të veçantë ka regjisori Altin Basha, së bashku me dyshen e skenaristëve, Vangjel Kozma e Jani Duri. Fakti që "Portokalli" vijon të ndiqet me maksimumin e interesit, duke u shpëtuar gjithnjë skenave përsëritëse, e madje duke ofruar freski në interpretim dhe në personazhe, e rendit atë si spektaklin e vetëm të humorit, që sigurisht vetëm nga "Top Channel" mund të realizohet për vetë dinamikën dhe formatin që ka. "Portokalli" do të vazhdojë, japin garanci drejtuesit e spektaklit. Madje, për sezonin e ardhshëm është menduar që të zgjerohet dhe më me shumë aktorë e pjesë gjithashtu.